Kurti: VV mund t’i arrijë edhe 80% të votave, por konstituimin sërish duhet ta bëjmë bashkë

Kurti: VV mund t’i arrijë edhe 80% të votave, por konstituimin sërish duhet ta bëjmë bashkë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën është deklaruar rreth bllokadës institucionale, teksa ka shtuar se të gjithë duhet të kontribuojnë në konstituimin e Kuvendit, edhe sikur Vetëvendosje t’i fitojë 80% të votave, raporton Gazeta Enigma.

“Kur të vijë puna e Qeverisë që është përgjegjësi e subjektit fitues në mënyrë ekskluzive, ne atëherë do ta dëshmojmë veten. Tash Kuvendin duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Pra, Kuvendi nuk e themelon subjekti fitues, pavarësisht sa vota i ka. Duhet që të bëhemi bashkë ta themelojmë. Ata që e kanë shkruar Kushtetutën e kanë pasur të qartë qëllimin. Edhe nga 5 nënkryetarë të Kryesisë, vetëm njëri i takon subjektit fitues. VV në zgjedhjet e ardhshme mund t’i arrijë edhe 80%, por sërish duhet të ketë vetëm një nënkryetar. Dhe për çdo nënkryetar nevojiten 61 vota”, tha ai.

“Unë kam propozuar, por nuk është respektuar, nuk është përfillur një gjë e tillë. Të ulemi bashkë dhe në paketë t’i votojmë nënkryetarët e Kuvendit dhe t’i kalojmë ato 15 ditë kur dihet të formohet qeveria me mua si mandatar dhe kur unë duhet ta dëshmoj veten, e opozita e ka shansin të më testojë”, shtoi Kurti.

Ai ka thënë se më 1 maj kishte bërë përpjekje për një marrëveshje rreth votimit të Kryesisë së Kuvendit, por kjo dështoi për shkak të mungesës së dakordimit me të gjitha partitë opozitare.

“Me datë 1 maj unë jam përpjekur që të bëj marrëveshje për votim në paketë të Kryesisë së Kuvendit. Kryetarja e VV-së, nënkryetari i VV-së, nënkryetari i PDK-së dhe nënkryetari i PDK-së, mandej do t’i kishim edhe dy të pakicave. Por nuk erdhi kryetari i LDK-së në takim dhe do të duhej që të ishim të tre aty. Mua mu tha që duhet të kemi marrëveshje politike dhe jo marrëveshje për procedurën. Ofrova bisedime për koalicion qeveritar me LDK-në, u refuzua shumë ashpër. Kur nuk duan as marrëveshje për procedurë për themelimin e Kuvendit, as marrëveshje politike për formim të qeverisë, që është në fakt hapi i radhës – jo i pari, atëherë çfarë të bëj unë. Unë po e kryej obligimin tim duke mos munguar në asnjë vazhdim seance”, tha kreu i Qeverisë në detyrë. / Gazeta Enigma.

Related Articles