Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, raporton Gazeta “Enigma”.
Dy raste janë raportuar në rajonin e Prishtinës, ku në të dy rastet viktimat janë femra të cilat kanë pasur dhunë fizike dhe psikike nga bashkëjetuesit e tyre.
“Prishtinë 25.06.2025-08:00. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”.
“Prishtinë 25.06.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me te cilën bashkëjeton. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, njofton Policia.
Dy raste të dhunës në familje janë raportuar edhe në Komunën e Pejës, ku viktima në njërin rast është femër ndërsa në rastin tjetër një mashkull i cili në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga djali i tij.
“Pejë 15.06.2025. Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ishte keqtrajtuar fizikisht nga i dashuri i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari nuk është takuar në vendbanimin e tij. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
“Vitomiricë 25.06.2025-19:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka pësuar dhunë nga djali i tij, i dyshuari mashkull kosovar-recidivist i ‘Dhunës në familje’, i cili në vazhdimësi ka shkaktuar dhunë psikike. I dyshuari është arrestuar dhe pas tretmanit mjekësor në repartin Psikiatrik, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.
Ndërsa në Ferizaj viktima femër ka raportuar se është sulmuar nda djali i saj i cili ishte nën ndikim të alkoolit.
“Ferizaj 24.06.2025-17:00. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se djali i saj i dyshuari mashkull kosovar, nën ndikim të alkoolit, kishte filluar të bërtas dhe të fyej me agresivitet dhe i njëjti e kishte shtyrë viktimën. I dyshuari është arrestuar, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.
E në Mitrovicën e Jugut një grua ka raportuar në Polici se në vazhdimësi ajo ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj.
“Mitrovicë Jugu 25.06.2025-10:27. Është raportuar se ankuesja femër kosovare, në vazhdimësi ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. Me vendim të prokurorit, është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. /Gazeta Enigma/