Sot, më 5 korrik në rend dite ishte konstituimi i Kuvendit për herë të 42, shkruan Gazeta Enigma.
Teksa deputetët po futeshin në sallë Policia u kërkoi të largoheshin menjëherë nga objekti i Kuvendit, për shkak se kishin pranuar një mesazh kërcënues në gjuhën anglze në zyrën e ish-kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Pas mesazhit Njësiti për Reagim të Shpejtë i Policisë së Kosovës zbarkuan tek ndërtesa e Kuvendit.
Tutje, disa nga deputetët nuk e cilësuan shumë serioz, e disa të tjerë deklaruan se është akt i qëllimshëm për t’i larguar ata nga salla e Kuvendit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha – kërcënimin e Kuvendit e cilëson si ‘skenar’, për ta paraqitur Kosovën si shtet jofunksional dhe të pa aftë për të mbajtur shtet.
“Me gjithë respektin profesional, ndaj veprimeve operative të organeve të sigurisë, për reagimin e menjëhershëm ndaj çdo paralajmërimi – sado që mund të rezultojë i rremë – zhvillimet e fundit si efekt perceptues gjithëpërfshirës i konsideroj edhe një skenar i radhës për ta prezantuar Kosovën si shtet jofunksional. Ajo çfarë është shqetësuese e që duhet të shihet më vonë- është mundësia që Policia e Kosovës të instrumentalizohet përmes skenarëve të tilla. Elaboratet e tilla të prezantimit të shqiptarëve si të pa aftë për të mbajtur shtet dhe pas pavarësisë së Kosovës, ta cilësojnë atë si shtet jofunksional – është qasje e njohur dhe e elaboruar prej kohësh si doktrinë strategjike e Beogradit, e cila edhe sot provon të gjej dhe krijoj situata përmes të cilave synon të minojë legjitimitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Fatkeqësisht, Qeveria aktuale po i shërben kësaj teze që para ardhjes dhe gjatë qeverisjes, qoftë përmes veprimeve të paramenduara, qoftë përmes paaftësisë e vendimeve që kanë prodhuar pasiguri në të gjitha segmentet e jetës institucionale dhe shoqërore. Edhe zhvillimet e fundit në vend nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një skenari të mirëkalkuluar për ta paraqitur Kosovën në opinionin ndërkombëtar si një shtet jofunksional, të dështuar në vetëthemelim dhe të paaftë për ta ruajtur sovranitetin e vet, për të garantuar funksionimin e institucioneve demokratike, jo vetëm në aspektin e sigurisë në kontekst të sovranitetit politik dhe integritetit territorial por edhe të ambientit të sigurt për qytetarët dhe sigurisë institucionale”, tha Berisha në një përgjigje për Gazetën Enigma.
Berisha thotë se Qeverisja aktuale vazhdimisht ka reflektuar jostabilitet dhe pasiguri për të ardhmen e vendit.
“Kosova perceptohet si vend i pasigurt – jo vetëm në aspektin juridik, kushtetues dhe politik, por edhe në atë ekonomik e shoqëror. Pra është kthyer në një vend të ikjes për shkak të pasigurisë edhe për të ardhmen. Në vend të stabilitetit, kjo Qeveri dhe kryeministri vazhdimisht kanë kultivuar retorikë të tensionuar me skenar lufte nga sulmet e mundshme– çka në gjuhën e investitorëve dhe miqve ndërkombëtarë përkthehet si – pasiguri sistemike. Faktori ndërkombëtar, përfshirë KFOR-in dhe NATO-n, si garant i pacenueshmërisë së kufijve – kanë shtuar prezencës ushtarake ndërkombëtare dhe vendosjen e forcave në zonën tampon që kanë krijuar përgjatë vijës së kontaktit me Serbinë. Por siguria e brendshme, si kategori thelbësore e funksionimit institucional shtetëror, është nën përgjegjësinë e qeverisë – e cila, me veprimet e saj, po e minon pikërisht këtë funksion themelor të shtetësisë dhe është pikërisht ky segment ku po cenohet thellësisht sovraniteti real”, u shpreh Berisha.
Berisha, ndër të tjera uroi që ‘kërcënuesi’ të mos i shkoj deri në fund ‘misionit’ të tij sepse shumica e deputetëve të LVV-së u panë brenda zyrave të Kuvendit duke i ‘sfiduar terroristët imagjinar.
“Në këtë kontekst, incidentet, tensionet dhe përplasjet e stimuluara janë pjesë e një skenari më të gjerë: të shfaqet Kosova si shtet i dështuar, që nuk është në gjendje të Qeverisë të mbrojë as territorin, e as institucionet e veta. Dhe nëse një shtet paraqitet si jofunksional, atëherë shfaqet ideja e rrezikshme se ai duhet rikonfiguruar. Kjo pasiguri politike, ekonomike dhe e sigurisë – përkon në mënyrë të frikshme me tezën e “Republikës së Tetë”, një zgjatim i modelit të Millosheviqit: “më shumë se autonomi, por më pak se pavarësi”. Një ide që rikthen në skenë projektin e ndarjes së Kosovës – përmes korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve – në përputhje me elaboratet e akademikëve që sot janë këshilltarë të Qeverisë. Por, megjithatë ironikisht uroj që “kërcënuesi” i pretenduar të mos i shkoj deri në fund “misionit” të tij, sepse shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje po thuhet nga mediat dhe u panë ndërkohë, se kanë qëndruar në zyrat e deputetëve brenda kuvendit – për të sfiduar kështu “terroristët imagjinar”, të mos e shtyp butonin fatal për hir të atyre që janë brenda apo thjeshtë të mos na e shkatërroj objektin e institucioneve kryesore shtetërore”, vazhdoi Berisha për Enigmën.
Ndërkohë, Berisha kërkon hetim ndaj deputetëve që dolën të fundit nga objekti i Kuvendit.
“Përndryshe deputet dhe ministrat që dolën të fundit nga objekti i parlamentit dhe ai i Qeverisë në afërsi direkte – duhet të jenë pista e parë e hetimit inteligjent – nëse nuk kanë qenë brenda godinave në cilësinë e “ekspertëve të antiterrorizmit” apo nga përvoja me aktet terroriste ndaj po këtyre institucioneve vite më parë, duke i ndihmuar njësitë e specializuara në këtë temë. Prandaj, zhvillimet aktuale nuk mund të reduktohen në “ngjarje të ditës”; ato nuk janë vetëm çështje politike të momentit – ato janë kërcënime strategjike ndaj vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës si i lirë, sovran dhe i pandashëm”, përfundoi Berisha për Enigmën./GAZETAENIGMA/