Policia mbyll 15 lokale në operacionin kundër bixhozit

Policia mbyll 15 lokale në operacionin kundër bixhozit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të hënën se ka arrestuar 34 persona dhe ka mbyllur 15 lokale në Prishtinë, në kuadër të një operacioni për luftim të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizim të skemave piramidale dhe lojërave të fatit – bixhozit.

Policia ka thënë se operacioni është zhvilluar prej 25 prillit, dhe përgjatë kësaj periudhe janë vëzhguar 91 lokale dhe në 60 prej tyre janë kryer kontrolle të detajuara.

Sipas këtij institucioni, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i ka mbyllur 15 lokalet në mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave.

Prej personave të arrestuar, disa janë liruar në procedurë të rregullt, një pjesë pas 48 orëve në mbajtje, ndërsa janë iniciuar 25 raste që lidhen me vepra penale sikurse: organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike.

Në operacion e sipër janë sekuestruar edhe 18 aparate për lojëra të fatit, një armë automatike AK-47, një armë e shkurtë, pajisje te laboratorit për kultivim, përpunim te substancave narkotike, para të gatshme, laptopë, priterë dhe telefona mobilë.

Lojërat e fatit ndalohen me ligj në Kosovë prej vitit 2019.

Kjo ndalesë e përgjithshme u ndërmor si iniciativë nga Qeveria e atëhershme e Kosovës, pas disa vrasjeve që ndodhën nëpër kazino.

Related Articles