Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate formuan një koalicion parazgjedhor. Ky koalicion ka siguruar 8 mandate në Kuvendin e Kosovës, me 5 deputetë nga AAK dhe 3 nga Nisma .
Pavarësisht bashkëpunimit elektoral, marrëdhëniet mes dy partive janë të ndërlikuara. Nga AAK kanë deklaruar se nëse Nisma dhe VV-ja arrijnë marrëveshje, e Limaj propozohet kryeparlamentar nuk do ta votonin.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se AAK-ja nuk do ta mbështesë kandidimin e Limajt për krye parlamentar nëse ndodh diçka e tillë.
“E kemi thënë disa herë që në asnjë rrethanë nuk do ta votonim Fatmir Limajn për kryeparlamentar’’, ka deklaruar Brahimaj për Front Online.
Lidhur me takimin e paralajmëruar ndërmjet Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt, deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, është shprehur skeptik për ndonjë zgjidhje të afërt, duke ironizuar situatën me Burdushin.
“Se a do të ketë ndikim ky takim, mundemi me e pyet Burdushin. Ndoshta ai ia qëllon, sepse në këto rrethana është shumë vështirë të parashikohet diçka’’, tha ai
Sipas tij, Vetëvendosje po tenton të hedhë fajin mbi opozitën për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Në çdo seancë të mbajtur deri më tani, Brahimaj thotë se janë deputetët e Listës Serbe dhe të Nismës ata që e kanë lëshuar sallën, pas VV-së, duke implikuar kështu se ata kanë marrëveshje dhe se u duhet votimi i fshehtë për të vazhduar
‘’Si duket VV-ja veç i ka votat e garantuara të Listës Serbe, ata po thonë që opozita po e bllokon procesin por çdo seancë kur po e lëshon sallën , po e lëshon Lista Serbe sallën edhe Nisma, këtyre vetëm ju duhet votimi i fshehtë sepse marrëveshjen e kanë ‘’, deklaroi ai