Drejtoria e Inspektoratit Komunal në Mitrovicën Veriore, në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë, ka ndërmarrë masa ndaj një klinike private me licencë, duke e mbyllur përkohësisht atë pas një inspektimi të detajuar në terren, raporton Gazeta “Enigma”.
Gjatë kontrollit, janë identifikuar dhe larguar rreth 30 produkte mjekësore me afat të skaduar, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e pacientëve.
Po ashtu, janë konstatuar parregullsi në sistemin e ventilimit, si dhe mospërputhje në dokumentacion, përfshirë mungesën e noterizimit të disa dokumenteve të rëndësishme, gjë që përbën shkelje të standardeve profesionale dhe ligjore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nesër do të dalin në terren edhe Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor, për të kryer asgjësimin e artikujve të dyshimtë dhe për të thelluar hetimet rreth funksionimit të klinikës.
Ndërkohë, vijon procedura e rregullt administrative për marrjen e masave ndëshkuese, që përfshijnë edhe pezullimin e mundshëm të licencës, deri në përmirësimin e të gjitha mangësive të evidentuara. /Gazeta Enigma/