Logopedi nga Podujeva, Besart Sokoli, është dënuar me 1 vit burg me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dega Podujevë, për keqtrajtimin e një vajze 4 vjeçare me aftësi të kufizuara.
Sipas aktgjykimit, ai u shpall fajtor për keqtrajtim dhe sulm fizik ndaj viktimës E.S., duke i shkaktuar dhunë në ordinancën ku punonte si logoped.
Ramiz Sadiku, babai i vajzës, e ka quajtur vendimin të papranueshëm dhe thellësisht zhgënjyes.
“Ky vendim është i tmerrshëm. Nuk di çfarë të them. Dëshmitë që u gjetën në ordinancën e tij ishin të mjaftueshme për një dënim më të ashpër. Nëse do të donin, mund të analizonin edhe ADN-në nga flokët që i janë shkulur vajzës.”, ka thënë ai për IndeksOnline.
Ai pohon se ka pasur prova të mjaftueshme që e konfirmonin fajësinë e logopedit.
“Kam biseduar vetë me të, më ka pranuar fajin. I ka treguar edhe shoqes sime, asaj edhe i ka kërkuar falje. Ai ia ka shkëputur flokët dhe e ka gjakosur vajzën tonë. Si ka mundësi të mos merret seriozisht një rast i tillë”, ka thënë Sadiku.
Ai thotë se pas ngjarjes logopedi, është munduar që përmes disa personave të gjejë lidhje për ta falur atë.
“Më ka dërguar njerëz, të afërm të ndryshëm që ta fali. Dhe pas gjithë kësaj, vendimi i gjykatës është i tmerrshëm. Ka dikë pas vetes që e mbron, le ta mbështesin, por Zoti sheh gjithçka.”, ka shtuar tutje ai.
“Ky nuk është rasti i parë. Ka pasur raste të tjera, ku edhe fëmijë të tjerë janë keqtrajtuar prej tij. Kush është prind e dinë që një grip me iu ra fëmijëve me mezi e kalon, lëre më diçka më shumë. Por kjo që ka ndodhur është shumë më e rëndë. Ai është dënuar me kusht, që do të thotë se vetëm nëse e përsërit veprën, shkon në burg. Është e padrejtë.”
Ai shton se edhe gjatë procesit ka vërëjtuar parregullësi.
“Gjyqtari na bëri presion. Prokurorët janë ndërruar vazhdimisht. Ditën e fundit doli një tjetër prokuror, krejt i ri.”
Në fund, ai lutet që askush tjetër të mos kalojë të njëjtën përvojë.
“Shpresoj që vajza ime të ketë fat më të mirë në jetë. Shpresoj që asnjë prind të mos përjetojë këtë që kemi përjetuar ne”