Pesë vrasje, Rama: Nuk ka qeveri funksionale që merret me sigurinë e qytetarëve

Pesë vrasje, Rama: Nuk ka qeveri funksionale që merret me sigurinë e qytetarëve

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit tragjike që kanë tronditur vendin, duke ngritur alarmin për mungesën e një qeverie funksionale dhe rrezikun në rritje që i kanoset qytetarëve.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se humbja e jetëve të njerëzve nuk mund të trajtohet sot si një statistikë.

“Ditët e fundit, vendi ynë është tronditur nga një varg incidentesh të dhunshme me humbje tragjike jetësh. Këto nuk janë thjesht numra. Janë fqinjët tanë, miqtë tanë, anëtarët e familjeve tona. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë si shoqëri, si institucione si shtet! Ajo që e bën gjendjen edhe më shqetësuese është fakti se qytetarët e Kosovës nuk kanë sot një qeveri funksionale pas vetes, që merret seriozisht me nevojat dhe sigurinë e tyre. Kjo është për keqardhje. Populli i këtij shteti ka mbetur me institucione “në detyrë”, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë”, ka shkruar Rama.

Rama po ashtu ka thënë se si kryetar i kryeqytetit iu ka bërë thirrje Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe udhëheqësve të çdo komune që të nisin menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme.

“Veprimi duhet të jetë i shpejtë, i ligjshëm dhe transparent. Kjo nuk është thjesht një thirrje për veprim. Është një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real”, ka shkruar Rama. 

Related Articles