Deputetja e PDK-së dhe anëtarja për politikë të Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi, është ankuar për mungesën e ministres Donika Gërvalla, teksa ka thënë se vendi do të përjetojë krizë diplomatike.
Sipas saj, nuk është e mundur të bëhet emërimi i ambasadorëve deri më datën 30 gusht siç kanë thënë nga Qeveria, pasi nuk po respektohet plani legjislativ.
“Më 30 gusht procesi i përfundimit të emërimit të ambasadorëve, dhe deri më tani ne nuk e kemi as edhe një emër në Komisionin për Punë të Jashtme, kryeministri tha se ky proces as nuk ka filluar… Nuk janë duke respektuar planin legjislativ, kjo do të thotë që ne nuk do të kemi ambasadorë në këto vende deri në tetor apo nëntor. Kjo do të shkaktojë krizë diplomatike për vendin tonë, ne nuk e kemi luksin që të kemi krizë diplomatike”, u shpreh Musliu-Shoshi.
Ajo foli edhe për vizitën e kryeministrit Kurti në Greqi, duke përmendur helmimet në Deçan dhe reshjet e shiut, që sipas saj edhe përkundër situatës Kurti nuk e pa të arsyeshme të kthehet në Kosovë.
“Është mjaftë shqetësuese kur kryeministri ynë, edhe pas vërshimeve që patëm, kryeministri e pa të arsyeshme ta ketë vetëm një postim për Deçanin. As një vlerësim të vetëm për dëmet që kanë shkaktuar reshjet, sidomos për bujqit. Po ashtu edhe me helmimet, mendoj që kishte arsye të bollshme që të kthehet”.