Policia e Kosovës ka arrestuar e më pas liruar zyrtarin e Komunës së Pejës, Luan Gashin, i cili dyshohet për përdorim të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Enigma se ai dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.
Megjithatë, prokurori i rastit ka vendosur që i dyshuari të lihet i lirë, pasi videoja mendohet të ishte bërë para një muaji dhe sipas Prokurorisë, ka qenë e vështirë të konstatohet që Gashi ka qenë duke përdorur lëndë narkotike.
“Është liruar pasi rasti është incizuar para një muaji, si dhe ka qenë e vështirë të konstatohet që ai ka qenë duke përdorur lëndë narkotike. Masa të tjera do merren pas hetimeve të mëtejshme”, tha Nikçi për Gazetën Enigma.