Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 në Zveçan.
Siç mësoi Sinjali bëhet fjalë për Ljubiša Milković, i cili është prangosur nga Policia e Kosovës.
Lidhur me këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Miljkoviq, i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në Zveçan në maj të vitit 2023.
Kështu ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit L.M., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulmi ndaj personit zyrtar dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal, pasi që Gjykata e Prishtinës ka vlerësuar se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Lidhur me arrestimin e tij, ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës.
Policia pati njoftuar se Milković i cili punon dhe qëndron në Serbi, është ndaluar pasi që kishte hyrë në Kosovë nga Serbia.
“Lidhur me rastin është informuar Prokuroria Speciale dhe në koordinim me Prokurorinë Speciale, duke konsideruar peshën e veprave të kryera dhe rrezikun potencial për arratisje pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime për ndalimi i tij si dhe sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale që zhvillohet ndaj tij, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë. “, thuhej në njoftimin e PK-së.
Çka gjeti Policia gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit?
Gjatë kontrollit në shtëpinë e Milković, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një ‘maicë’ me mbishkrim nacionalist të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike.