Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e shpalli të mbyllur seancën e Kuvendit të Kosovës për konstituim, ndonëse nuk u emërua një nënkryetar nga minoriteti serb, ashtu siç e do rendi Kushtetues, shkruan Gazeta Enigma.
Nga Lista Serbe fillimisht propozuan Sllavko Simiqin, i cili nuk i mori votat e mjaftueshme, ndërkohë që nuk propozuan kandidat tjetër. Më pas u vazhdua me short, por shumica e deputetëve nga kjo partia as që nuk pranuan të jenë kandidat, ndërkohë që nuk u votua as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, ndonëse ky i fundit pati mbështetjen nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, por jo nga PDK, LDK dhe AAK.
Pas gjithë kësaj, në Lëvizjen Vetëvendosje kërkojnë po që presidentja Osmani ta sheh si të ligjshme konstituimin e Kuvendit dhe ta kërkojë emrin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.
Lista Serbe paraqiti ankesë në Kushtetuese, për mënyrën e votimit të nënkryetarit serb, duke kritikuar veprimin e Bashës që i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe përdori shortin për kandidatët serbë.
Tani, “topi” qëndron tek presidentja Osmani e cila gjejdet mes disa hapave; t’ia kërkojë LVV-së emrin e mandatarit, të kërkojë sërish sqarime nga Gjykata Kushtetuese ose të presë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese pas ankesës nga Lista Serbe.
Ekipi ligjor i Presidencës po bën analizën lidhur me procesin e konstituimit
Pyetur nga Gazeta Enigma rreth hapave të mëtejshëm të së parës së vendit, Bekim Kupina – zëdhënës në Presidencë – tha se nuk ka ndonjë vendim të ri, por se mbetet ajo se çka u tha në komunikatën e djeshme nga takimi mes kryeparlamentarit Dimal Basha dhe presidentes Vjosa Osmani.
“Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Bashase ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, thuhej në komunikatë.
“Kuvendi mund ta vazhdojë punën”
Eksperti i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, thotë për Gazetën Enigma se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese potencon se Kuvendi konsiderohet i konstituuar kur të zgjedhen kryetari dhe nënkryetarët.
“Realisht, ne e kemi konstituuar Kuvendin, pa e përmbushur obligimin kushtetues”, thotë Nrecaj.
Por sipas tij, ky institucion mund të vazhdojë me punë, deri në një aktgjykim të radhës nga Kushtetuesja.
“Kuvendi mundet me vazhdu punën, sepse praktika të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën, për shembull me Qeverinë Hoti, e cila vazhdoi punën deri kur është nxjerrë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kur vendi shkojë në zgjedhje. Tani gjithçka varet prej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Nrecaj tha se edhe presidentja Osmani do duhej t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, “për ti hapur rrugën mandatarit për krijimin e Qeverisë”.
“Sipas aktgjykimit, Kuvendi nuk është konstituuar, por është shpallur i konstituuar nga Kryetari i Kuvendit. Tani varet edhe nga aktgjykimi i ri i Kushtetueses. Por, në anën tjetër, nuk mundet Kuvendi me mbetë pa u konsituuar, për shkak të insistimit të vetëm një kandidati nga Lista Serbe, sepse Kushtetuesja e ka përcaktuar se një kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë”, u shpreh tutje Nrecaj për “Enigmën”.
Megjithatë, ndryshe mendon opinionisti Shkodran Ramadani.
“Mandatari 100 përqind i takon Listës Serbe”
Ramadani thotë për Gazetën Enigma se nuk mund të kalohet tek faza e mandatimit të Kurtit për kryeministër, pa u zgjedhur çështje e nënkryetarit të minoritet serb.
“Për shkak se kjo do jetë mollë sherri që do përfundojë sërish në Kushtetuese. Mandatari 100 përqind i takon Listës Serbe, si partia politike që e përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, ndërkohë që LVV nuk po e respekton këtë fakt, rrjedhimisht kemi ardhur deri tek kjo bllokadë e re për krijimin e institucioneve”, deklaroi Ramadani.
“Nuk besoj se Vjosa Osmani do bëhet pjesë e lojës, por nëse bëhet, do jetë shumë keq sepse edhe presidentja do përfshihet në minimin e rendit kushtetues në Kosovë. Kjo ka edhe precedent politik dhe diplomatik, për shkak se tek vendet e QUINT-it dhe bashkësia ndërkombëtare, do të portretizohet si shtypje e të drejtave të komunitetit serb nga institucionet kryesore të vendit”, tha Ramadani.
I njëjti u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese do vendosë që nënkryetari serb t’i takojë vetëm Listës Serbe.
Haxhiu: Nuk do lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve
Nënkryetarja e Kuvendit, njëherit nënkryetare e LVV-së, Albulena Haxhiu tha se “nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve”.
“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, apo ndonjë subjekti që refuzon të marrë përgjegjësi”.
“Ne kemi thënë në seancën e fundit që ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë këtë, na duhet mbledhje të Këshillit të përgjithshëm që e votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavcita dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani. E mandej presim që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik”, tha Haxhiu.
Kur bëhen 30 ditë?
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese u publika më 18 gusht. Kjo do të thotë se kanë mbetur edhe 16 ditë deri kur përfundon afati i dytë 30-ditësh për konstituim të Kuvendit. Deri atëherë, pritet që Kushtetuesja të tregojë nëse mund të vazhdohet pa nënkryetar serb apo që procesi të kthehet mbrapa. /GAZETA ENGIMA