Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në zbulimin e shtatores së legjendës së futbollit, Fadil Vokrri.
Në fjalën e tij, ai tha se për të është thënë shumë qysh kur u nda nga jeta, prandaj ai deshi që të flasë për të nga kujtimet e tij personale.
“Dua të flas siç e njoh dhe e mbaj mend unë. Një karrierë brilante në dy forma. Fillimisht, Fadilin e njogim si futbollist të talentuar e të suksesshëm që përgjatë viteve të 80-ta preku majat e suksesit në sport. Në po atë periudhë Fadili ishte krenaria e gjithë Kosovës. Atëherë kur në Kosovë ishin gjërat shumë të vështira, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në Jugosllavi”.
“Kur e merrte topin afër 16 metërshit i gjithë stadiumi ishte në këmbë e kur shënonte të gjithë ishin në ajër. Kjo shtatore këtu është ai momenti kur Fadil Vokrri e merrte topin në 16 metërsh në shikimin drejt lojtarëve që do t’i driblonte dhe kur ai hynte në 16 metërsh bëhej o gol o penalti”.
Kurti tha se shtatorja e tij do të kthehet në vendtakim të sportistëve të rinj kosovarë dhe do të jenë një pikë vizitimi për ata të huajt.
“Nëse gjeneratat e reja s’e mbajnë mend si futbollist, atë e mbajnë mend si iniciues i betejave të Federatës së Kosovës për pranim në UEFA dhe FIFA. Futbolli sot po na përfaqëson në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Ndërsa Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, në fjalën e tij gjatë zbulimit të shtatorës së legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, tha se ai nuk ishte vetëm i sportit, por edhe i dimensioneve të tjera të cilat i ka bërë në të mirë të shtetit.