Pas një kontrollave te fundit, të detajuara mjekësore dhe analizash, lojtari i Gjilanit, Oltion Bilalli, ka marrë dritën jeshile nga mjekët dhe ka kaluar me sukses të gjitha testet dhe egzaminimet e nevojshme për të vijuar me aktivitetet fizike.
Ai ka nisur fazën e trajnimeve graduale me ekipin, duke ecur hap pas hapi për të arritur formën optimale dhe për të rikthyer performancën e tij më të mirë në fushë.
“Pas 4 muajsh të vështirë, plot sfida dhe sakrifica, jam rikthyer ne fushe, Çdo ditë e kaluar në rikuperim ka qenë një betejë. Sot, më në fund jam kthyer aty ku i përkas – në fushë. Faleminderit të gjithëve që ishit pranë meje”, deklaroi Bilalli.
Bilalli pësoi një lëndim të rëndë në kokë gjatë ndeshjes kundër Malishevës në javën e 33-të të Superligës, më 6 maj 2025. Ai u dërgua urgjentisht me ambulancë për trajtim në QKUK dhe fillimisht ishte në gjendje serioze.
23 vjeçari numëron 88 paraqitje zyrtare me kuqebardhët duke kontribuar me tetë gola dhe 12 asistime.