Kryeshefi ekzekutiv i “Iber – Lepencit”, njëherësh asamblisti i Vetëvendosjes, Faruk Mujka, ka folur sot nga mbledhja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, shkruan Gazeta Enigma.
Gjitha pretendimet e ngritura ndaj tij, Mujka i ka quajtur “filma”.
“Jam i palodhshëm, i paheshtur dhe i palëkundur, pa marrë parasysh të gjitha ndërkëmbëzat dhe gropat e hapura, e në të cilat pa asnjë dyshim shumë shpejtë do të bien ata që i kanë hapur. Këto filma që janë bërë këto tri ditë nuk i besoj dhe i shtyjnë mediat që paguhen, por nuk dhezë te populli që na njeh mbi 50 vjet”, tha Mujka.
Sipas tij, ngritja e aktakuzës u bë me qellim largimin e vëmendjes nga qeverisja lokale në Mitrovicë të Jugut, nga pushteti aktual.
“Qëllimi i vetëm është të largohet vëmendja nga mos puna dhe katër vite të çuara kot dhe të gjenden fajtorë kujdestarë duke dashtë me e pastru veten dhe duke sakrifikuar edhe drejtorin i cili dorën në zemër nuk ka bërë dëm as sa një çerek se paraardhësi, por ky i shkreti nuk ka pasur shpinën e fortë sa duhet. Unë nuk kam të njohshëm që të m’i fshehin apo largojnë krejtësisht lëndet në Gjykatë, edhe ato milionëshe, e besa as nuk më duhen të tillët. Edhe mund t’i shpëtojmë apo t’i ikim Gjykatës tek ne, por një gjykatësi suprem nuk keni me mujt me i ikë asnjëri e posaçërisht ju intrigantët dhe monafikët, do të digjeni aty ku më së shumti iu dhemb”, shtoi Mujka. / Gazeta Enigma.
Mujka pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij: Këto filma nuk dhezin te populli që na njeh prej mbi 50 vjet
