Krejt pa pritur, presidentja Vjosa Osmani bëri bujë dje e sot në Kosovë. E krejt kjo, pasi një kameraman po xhironte në shkollën private ku vijojnë mësimet vajzat e të parës së shtetit, shkruan Gazeta Enigma.
Kameramani i mediumit Paparaci, Jetmir Muji, u pengua në punë, me personelin mbrojtës të vajzave të presidentes Osmani që madje jashtëligjshëm i kërkuan që t’i fshinte materialet e xhiruara. Sikur të mos mjaftonte kjo, kameramani Muji më pas edhe u arrestua nga Policia e Kosovës. Ma pas u bë lirimi i tij, pasi prokuroia nuk gjeti materiale të xhirimit të vetë vajzave të Presidentes.
Osmani me reagime të papara më parë – sulm direkt ndaj mediave
I menjëhershëm ishte reagimi i presidentes Vjosa Osmani. Ajo akuzoi mediat për “përndjekje” të vajzave të saj, duke thënë se po rrezikojnë binjaket, duke ua publikuar lokacionin se ku vijojnë mësimet.
“Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë. Asnjëherë nuk kanë shkruar për plot politikanë të tjerë, e në veçanti për gazetarët e shumtë që i dërgojnë fëmijët në shkolla private, brenda e jashtë vendit. E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia”, shkroi Osmani.
E para e shtetit tha se arsyeja që vajzat tash po i dërgon në një shkollë private, është se përgjatë këtyre pesë viteve, “sikurse edhe nxënësit e tjerë në këtë shkollë, edhe vajzat e mia janë përballur me probleme me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, bllokada totale të toaleteve, mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë (me rreth 4 mijë nxënës në shkollë, rreth 40 nxënës në një klasë), konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës, e çka jo tjetër”.
“Shpërfaqje e dështimit”
Njohësi i çështjeve politike, Anton Nrecaj, thotë në një prononcim për Gazetën Enigma, se duke treguar për kushtet e shollës “Ismajl Qemajli”, Presidentja shpërfaqi një dështim.
“Nëse vërtetë ka pasur informacione se atë shkollë niveli i sigurisë dhe i kushteve të tjera është i ulët, atëherë ajo është udhëheqëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është komnadante e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Do të mund të kërkonte nga institucionet përgjegjëse, në këtë rast edhe nga kryeministri dhe ministrja e Arsimit, si dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, që të ndërmarrin hapa sa i përket nivelit të sigurisë nëpër shkolla. Kjo tregon mbulimin e një dështimi dhe shpërfaqjen e një dështimi tjetër”, tha Nrecaj.
Presidentja Osmani pyeti se “në cilin vend demokratik, ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes”?
“Në asnjë”, u përgjigj vetë Presidentja.
Për këtë, Nrecaj tha se liderët në vendet demokratike, fëmijët dhe familjarët e shtetit gjithmonë përpiqen të mbajnë profil të ulët, gjë që sipas tij, presidentja Osmani nuk e ka bërë.
“Fatkeqësisht, presidentja Osmani shpeshherë i ka ekspozuar vajzat e saj nëpër aktivitete e ngjarje, të cilat janë organizuar në nivel shtetëror. Pra vetë ajo nuk ka ruajtur një profil të ulët për vajzat e saj”, tha Nrecaj për Enigmën.
Nrecaj, i cili po ashtu është ekspert i ligjeve në Republikën e Kosovës, tha se është e drejtë e tyrë absolute për të monitoruar, për të marrë informacione, të informojë qytetarët nëse ka keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Presidentes apo tejkalim të kompetencave.
“Për fëmijët, është ligji për të drejtat e fëmijëve, ku thotë se fëmijët nuk guxojnë të ekspozohen aspak. Sidomos me fytyrë. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me personin numër 1 të shtetit. Fëmijët nuk guxojnë të ekspozohen. Fëmijët sidomos të Presidentes, duhet të kenë siguri maksimale. Paramendojeni nëse në një situatë do të kidnapoheshit fëmijëe e Presidentes dhe Presidentja do të shantazhohej. Çfarë do të ndodhte?”, pyeti Nrecaj.
Sipas Nrecajt, e gjitha kjo ishte një dramë e krijuar nga Osmani.
“Të gjitha këto janë të tepruara, të tejkaluara, është krijuar një dramë koti”.
“Shkolla publike është braktisur nga vetë shteti”
Profesori universitar i Gazetarisë, Alban Zeneli, tha për Gazetën Enigma se presidentja Osmani duhet të kuptoj që askush nuk po raporton për veprimet e sjelljet e vajzave të saj, por raportohet për vendimin e saj që ta braktis shkollën publike duke i dërguar në një shkollë private.
“E këtë po e bënë hiq më pak se njeriu i parë i shtetit, pra publikja/shteterorja eshte braktise nga vet shteti”.
“Pastaj, mos ta harrojme faktin, qe asnje video apo fotografi e kesaj ‘ngjarjeje’ nuk eshte publikuar akoma. Pra, per cfare permbajtje gazetareske po ankohet znj. Osmani? Gazetaret nuk i publikojne te gjitha te dhenat asnjehere, por te gjitha perdoren me qellim te verifikimit/dokumentimit te secilit informacion”, u shpreh më tej profesori universitar.
“Duke pas parasysh protokollet e sigurisë, përcjellja që duhet t’i ofrohet vajzave është e mirë publike, përfshi angazhimin e zyrtarëve policor, veturave, e pajisjeve tjera. Ndërrimi i këtij lokacioni pa dyshim që përbënë interes publik, sidomos kur të gjitha këto resurse detyrohen të koncetrohen në një shkollë private”.
Keqpërodimi i të ‘dhënave të sigurisë’ për sulm ndaj mediave
Duke iu referuar deklaratës së Osmanit se “disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë”, profesor Zeneli tha se kjo përbënë një keqpërdorim të të dhënave.
“Këtyre të dhenave që i refereohet presidentja, ajo ka qasje eksluzive për shkak të postit dhe perdorimi i tyre për qëllime të sulmeve ndaj mediave përbënë një keqpërdorim të të dhënave. Duke pasur parasysh, sulmet e presidentes dhe burrit të saj ndaj mediave nuk janë të sotme, datojnë që nga marrja e postit nga znj. Osmani, dhe po të kishin të dhëna të tilla nuk do ngurronin të gjenin mënyra për t’i publikuar. Prandaj, bëji publike znj. Presidente, është në interes publik nëse ka raste të tilla që të shohim edhe ne nga kush po informohemi, nëse nuk e bënë këtë gjë, së paku po keqperdorni të dhënat për sulme politike, ose po shpifni”, deklaroi në fund Zeneli.
AGK me kritika të shumta për qasjen e Osmanit ndaj mediave dhe gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se reagimi i Presidentes Osmani është një sulm i ri ndaj mediave dhe gazetarëve.
“Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave. Ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë. Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës”, u tha në reagimin e AGK-së.
AGK tha se në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës.
“Osmani po rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve”
AGK reagoi edhe pas deklaratave të sotme të presidentes Osmani, e cila para lidhi disa gazetarë me grupe kriminale dhe plane për grusht shteti.
AGK e cilësoi retorikën e presidentes si “thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban” dhe paralajmëroi se ajo “rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve”.
“AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzese dhe nxitëse të Presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve”, thuhet në deklaratë.
Presidentja Osmani, gjatë konferencës, u është referuar sërish raporteve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke theksuar se ato përmbajnë të dhëna që lidhen me bashkëpunime të mundshme ndërmjet “disa gazetarëve” dhe njerëz të afërt me Milan Radoiçiqin, i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe të rrezikshme për sigurinë e vendit. /GAZETA ENIGMA