Simiq dhe Vukasinoviq sot dalin para Gjykatës për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

Simiq dhe Vukasinoviq sot dalin para Gjykatës për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

Sot, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, do mbahet shqyrtimi fillestar lidhur me çështjen penale ndaj nënkryetarit të Listë Serbe Slavko Simiq dhe Urosh Vukasinoviq.

Ndryshe më 13 qershor 2025, Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj personit me iniciale S.S., deputet i Kuvendit të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, i pandehuri S.S., me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat, me ç`rast vazhdon sulmi në drejtim të gazetarëve dhe mediumeve të Republikës së Kosovës, fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë”.

“Ndërkaq i pandehuri tjetër U.V., si i përfshirë drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Republikës së Kosovës, akuzohet për kryerjen e veprave penale ”Sulmi” nga neni 184 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 të KPRK, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që dy (2) të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit”, thuhej në njoftim.

Related Articles