Kurti për vdekjen e ish-ambasadorit shqiptar, Abdi Baleta: Vepra e tij dëshmi e një jete të kushtuar kombit

Kurti për vdekjen e ish-ambasadorit shqiptar, Abdi Baleta: Vepra e tij dëshmi e një jete të kushtuar kombit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Abdi Baletës, duke theksuar kontributin e tij të vyer në politikë dhe publicistikë.

Kurti tha se Baleta ishte një nga njohësit e thellë të ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhave të gjeopolitikës.

Sipas tij, vepra e tij publicistike është një shkollë e vërtetë për mendimin politik dhe strategjik shqiptar dhe një dëshmi e një jete kushtuar kombit.

“Abdi Baleta ishte një nga emrat e politikanëve që shqiptarët e Kosovës e mësuan sapo në Shqipëri ra regjimi komunist. Disa e kishin emër të dëgjuar edhe më parë, kur ai përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa për publikun e gjerë ai u bë i njohur me fjalimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe me shkrimet në shtyp, që si kryetemë kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare”.

“Ishte një zë që spikaste për nga forca e argumentimit dhe vendosmëria me të cilën mbronte identitetin kombëtar dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar. Abdi Baleta ishte një nga njohësit e thellë të ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhave të gjeopolitikës. Një pjesë të shkrimeve të viteve 1990 për Kosovën i botoi në librin Kosova: Nga Dejtoni në Rambuje”.

“Ai vijoi të komentonte zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe në botë, në shkrimet e tij në gazetën Bota Sot të Prishtinës, në Rimëkëmbja të Tiranës, në revistën Shenja të Shkupit etj. Në takimet e mia me të në Tiranë e dalloja pasionin me të cilin mbronte mendimet, që mbështeteshin nga përvoja e gjatë diplomatike dhe erudicioni, gëzimin për përparimet e Kosovës dhe të kombit shqiptar, pezmatimin për pengesat që ende shqiptarët kanë për të kapërcyer, por dhe besimin e tij se e drejta herët a vonë fiton”.

“Vepra e tij publicistike është një shkollë e vërtetë për mendimin politik dhe strategjik shqiptar dhe një dëshmi e një jete kushtuar kombit. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve”, ka shkruar Kurti. /Gazeta Enigma/

Related Articles