Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së ShBA-së (SATMO), Thomas Melton, raporton Gazeta “Enigma”.
FSK-së përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se gjatë këtij takimi u vlerësuan lartë të arriturat e deritanishme të ushtrisë kosovare dhe performanca e dalluar që pjesëtarët kanë treguar gjatë aktiviteteve me ekipet e SATMO-s.
“Gjatë takimit, bazuar në njoftim, u diskutua edhe rreth aktiviteteve që janë zhvilluar deri më tani, duke përfshirë mbështetjen e ekipeve të SATMO në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesit të validimit të njësive, si pjesë e planit të zhvillimit të Forcës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje nga FSK kanë theksuar se “për më tepër, u diskutua edhe për planin tre vjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së”.
“Në fund të takimit edhe një herë u potencua se mbështetja nga ekipet trajnuese të SATMO-s është shumë e rëndësishme për avancimin e profesionalizmit të njësive të FSK-së”. /Gazeta Enigma/