Në seancën e sotme ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt, është duke dëshmuar ish-drejtori i Klinikës së Forenzikës, Shpend Haxhibeqiri.
Gjatë deklarimit të tij ai ka konstatuar se gjatë ekzaminimit psikiatrik të Murselit, nuk është konstatuar asnjë çrregullim mendor, të përkohshëm apo të përhershëm.
“Nuk është konstatuar asnjë çrregullim mental apo ndonjë sëmundje mentale me karakteristika të përkohshme apo të përhershme. Nga fëmijëria e deri tani nuk janë shfaqur elemente të ndonjë çrregullimi mendor”, u shpreh Haxhibeqiri.
“Ekzaminimi psikiatrik nuk kryhet vetëm me shkresa, por edhe përmes bashkëbisedimit, analizës së sjelljes, mënyrës së të folurit dhe të shprehurit. E kemi shpjeguar se raporti është bazuar në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës për të cilën akuzohet”, tha Haxhibeqiri.
Haxhibeqiri, gjatë seancës tha se Murseli gjatë qëndrimit në klinikë, ka refuzuar tabletat “Psikopharmak”, që rekomandohen për personat me çrregullime mendore.
“Psikopharmak” rekomandohen për trajtimin e simptomave e çrregullimeve mendore, si depresioni, ankthi, skizofrenia, çrregullimet bipolare, çrregullimet e panikut, obsesive-kompulsive, e të tjera.