Sot në media është raportuar se motra e ministrit Liburn Aliu është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Odës Farmaceutike të Kosovës.
Suljota Aliu është emëruar nga Ministri i Shëndetësisë në Këshillin e kësaj Ode, ndonëse ajo vet nuk ka pranuar deri tani të prononcohet për gazetën, e as ministri Liburn Aliu.
E për punësimin e saj ka reaguar zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuqi.
Ajo ka publikuar disa fotografi nga raportimet e mediave për punësimin e të afërmve të disa ministrave e deputetëve.
Me këtë rast Kuqi ka shkruar: “Ofertë e jashtëzakonshme verore: merre pushtetin dhe punëso familjarët falas”.
Burime të Expressit në Odën Farmaceutike të Kosovës e kanë pohuar se Suljota Aliu është motra e ministrit Liburn Aliu dhe se për këtë ata kanë qenë të informuar.