Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që “potencialisht u përkasin viktimave të luftës” në Kosovë të viteve 1998-1999, të cilët figurojnë në listën e personave të zhdukur.
Mbetjet mortore u gjetën në lokacionin e quajtur Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strecllit, tha Komisioni më 26 shtator.
“Informatat e pranuara nga qytetarët janë adresuar në bashkëpunim me sektorin e Policisë për persona të zhdukur në kuadër të drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore [IML], me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it”, u tha në njoftim.
Mbetjet mortore që u zhvarrosën janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të tjera dhe për identifikimin përmes analizës ADN-së.
Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kosova vazhdimisht ka kërkuar nga Serbia që të hapë arkivat shtetërore për të kuptuar vendndodhjen e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë.
Që nga përfundimi i luftës, pas gërmimeve në varreza masive në Serbi, dhe lokacione në Kosovë, janë gjetur mbetje mortore të viktimave të luftës.
Kosova dhe Serbia kanë ngritur edhe një komision të përbashkët për të pagjeturit, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Formimit të Komisionit i ka paraprirë pajtueshmëria e arritur nga udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë më 2023 për Deklaratën e përbashkët për Personat e Zhdukur.
Ndërkaq, në rundin e fundit të dialogut të mbajtur më 11 shtator, pala kosovare akuzoi Serbinë se është tërhequr nga marrëveshja për komisionin për të pagjeturit./REL