Rastet tragjike që përfundojnë me vrasje në Republikën e Kosovës, po kanë ngecje në arrestimin e të dyshuarve nga institucionet përkatëse, shkruan Gazeta Enigma.
Ngjarjet e fundit, si vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit Mefail Shkodra me djemt e tij për më shumë se një muaj janë ende në arrati, pra, ata po enden të lirë.
Sikurse rasti i Shkodrës, në arrati gjendet edhe Xhemajl Nihiu, i dyshuari për vrasjen në Hajvali, më 11 gusht.
Si dhe rasti i fundit, në Debelldeh të Vitisë, ku sërish i dyshuari për vrasje gjendet në arrati.
Edhe pse, ministri i Punëve të Brendshme, në detyrë Xhelal Sveçla, deklaroi se “Kosova është e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit”.
“Kosova vazhdon të jetë ndër vendet më të sigurta në botë sipas Raportit Global të Sigurisë 2025 të Institutit Amerikan Gallup. Siguria e qytetarit është një nga arritjet më të mëdha të demokracisë dhe institucioneve të Republikës”, ka shkruar Sveçla.
Tutje, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, potencoi se “Kosova është një nga vendet më të sigurta në botë, me një nga rezultatet më të larta në ligj dhe rend”.
Për këtë renditje kanë reaguar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët meritat ia adresojnë bashkëpunimit të institucioneve të sigurisë me qytetarët.
“Këto rezultate pozitive janë fryt i përkushtimit të vazhdueshëm në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe institucione të tjera të sigurisë, si dhe mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë”, kanë thënë Policia e Kosovës.
Çka thonë Policia për rastin e Shkodrës?
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hasani, për vrasjen e trefishtë në Gjilan, deklaroi se janë duke u bërë përpjekje intensive për t’i kapur të dyshuarit.
“Po punojmë intensivisht për të kapur të dyshuarit për vrasjen e trefishtë”, tha ai për Gazetën Enigma.
Por, kush ka dorë në këto dështime të arrestimeve të vrasësve?
Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se ‘vonesa’ e arrestimeve paraqet shqetësim në aspektin e sigurisë në Kosovë.
“Rastet e fundit të vrasjeve në Gjilan, Hajvali e Viti, ku atutorët ende ndodhen në arrati, paraqesin një sinjal shqetësues për nivelin e sigurisë në Kosovë. Nuk mund të thuhet se kemi vetëm dështim individual të hetimeve, por kemi të bëjmë me një problem më të thellë që lidhet me kapacitetet, koordinimin dhe qasjen institucionale ndaj krimit të organizuar dhe dhunës së rëndë. Policia e Kosovës ka një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, mirëpo vonesat e theksuara në identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimeve të tilla krijojnë përceptimin e një papërgjegjshmërie institucionale dhe ulin besimin e qytetarëve”, u shpreh Shala për Engimën.
Tutje, Shala tregon se për çka ka nevojë urgjente Kosova, në aspektin e sigurisë.
“Kosova sot ka nevojë urgjente për: Forcim të kapaciteteve hetimore, sidomos në terren dhe në përdorimin e intelegjencës kriminale, për koordinim më të mirë mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave, që të mos krijohen zbrazëtira procedurale që i shfrytëzojnë autorët për t’u fshehur, gjithashtu edhe në investime teknologjike dhe mjete moderne hetimore, përfshirë përdorimin e analizës së të dhënave dhe sistemet e ndjekjes digjitale”, vazhdoi Shala për Enigmën.
Sipas tij, nëse në Kosovë nuk bëhet arrestimi në kohë reale të autorëve të vrasjes, krijohet një vend ku humb besimi i qytetarëve në shtetin e së drejtës.
“Nëse Kosova nuk arrin të garantojë arrestimin në kohë reale të autorëve të vrasjeve, atëherë krijohet një mjedis ku qytetarët humbin besimin në shtetin e së drejtës dhe ku kriminelët ndihen më të fuishëm sesa institucionet. Ky është rrezik serioz jo vetëm për sigurinë, por edhe për stabilitetin shoqëror”, përfundoi Shala për Engimën.
Ndërkohë, Gazeta Enigma i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për të parë se deri ku kanë shkuar hetimet për rastet e tilla, por që këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.
Të njëjtat pyetje i janë dërguar edhe Prokurorisë Speciale por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje qe më shumë se 7 ditë. /GazetaEnigma/