Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, njofton të gjithë prindërit/kujdestarët ligjorë se afati për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova përfundon më datën 3 tetor 2025, në orën 23:59.
MAShTI, thekson se për të gjithë ata që ende nuk e kanë plotësuar aplikimin e tyre, ky është njoftimi i fundit për të përfituar nga mundësia e subvencionimit.
“Pas këtij afati, pra nga ora 00:00 e datës 4 tetor, aplikimet nuk do të pranohen më dhe platforma do të mbyllet”.
Tutje, bëhet e ditur se që nga hapja e platformës më 15 gusht 2025 janë pranuar 203 mijë e 865 aplikime, janë trajtuar 200 mijë e 679 aplikime, prej tyre janë aprovuar 195 mijë e 343, janë refuzuar 5 mijë e 336 aplikime, ndërsa në proces të verifikimit mbesin edhe 3 mijë e 186 aplikime.
Platforma do të mbetet e qasshme vetëm për koordinatorët komunalë dhe shkollorë, deri në përfundim të trajtimit të aplikimeve të mbetura.
MAShTI inkurajon të gjithë prindërit dhe kujdestarët ligjorë që nuk kanë aplikuar ende, të përfundojnë aplikimin brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që fëmijët e tyre të përfitojnë nga subvencionimi i teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.