Ish-kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë dy “goditje” nga drejtësia.
Brenda një jave, prokuroria e shtetit ka hedhur poshtë dy kallëzime penale të Mimoza Kusari-Lilës, të cilin kishin të bënin me audio-incizimet që janë publikuar në media dhe që dëshmonin telefonatat e saj me udhëheqësit e Listës Serbe.
Javën e kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka rrezuar kallëzimin penal të Kusari-Lila ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit nga Lista Serbe, Slavko Simiq. Ndërsa, dje, Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal të deputetes së VV-së kundër portalit “Paparaci”, për publikimin e bisedës telefonike të Kusari-Lilës me Millan Radoiçiqin.
Në aktvendimin për rastin e fundit thuhet se portali në fjalë nuk ka konsumuar vepër penale.
Sipas prokurorisë, bisedat e deputetes së VV-së me zyrtarët e Listës Serbe ishin të vërteta.
“Nga provat personale dhe ato materiale të bashkangjitura në shkresat e lëndës dhe pas analizimit të tyre, e në veçanti pas analizimit të bisedës së zhvilluar mes palëve, e të publikuar në portalin ‘Paparaci.com’ me pronar Vehbi Kajtazi, nuk është vërtetuar me asnjë veprim se të lartcekurit kanë konsumuar elementet e veprës ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’”, është thënë në aktvendim e publikua nga Paparaci.
Javën e kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ish-shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit nga Lista Serbe, Slavko Simiq.
Në aktvendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se janë pushuar hetimet ndaj të pandehurit.
Sipas prokurorisë, i pandehuri nuk kishte kryer veprën penale ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuar’.
“Për shkak se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Slavko Simiç, ka kryer veprën penale Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuar nga neni 202 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Replikës së Kosovës, që i vihet në barrë sipas Aktvendimit mbi fillimin e hetimeve PP.II. nr4696-23 të datës 18.09.2024, dhe as ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare” është thënë në aktvendim.
Më pas, në aktvendim jepen detaje tjera.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 01.08.2023, ka pranuar Kallëzimin Penal të datës 28.07.2024 të parashtruar nga parashtruesja Mimoza Kusari-Lila kundër të pandehurit Slavko Simiç për shkak të dyshimit të arsyeshme se i njëjti ka kryer veprën panel fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuar nga nenit 202 paragrafi të Kodit Penal”, është thënë në aktvendim.