Kosova, ‘strehë’ për të burgosurit evropianë – Edhe Belgjika me sytë kah burgjet kosovare

Kosova, ‘strehë’ për të burgosurit evropianë – Edhe Belgjika me sytë kah burgjet kosovare

Edhe Belgjika po synon marrëveshje për burgjet me Kosovën, sikurse marrëveshja tashmë e nënshkruar me Danimarkën, nga ku Kosova përfitoi rreth 200 milionë euro, shkruan Gazeta Enigma.

Kështu u bë e ditur në takimin e së martës ku presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, si dhe ministren e Azilit, Migracionit dhe Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

Vizita e ministreve belge në Kosovë, fokusohet në adresimin e mbi popullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar. 

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin.

A përfiton Kosova përmes marrëveshjeve për burgje me shtetet evropiane?

Eksperti i Sigurisë, Bedri Elezi, potencoi se nga një marrëveshje e tillë potenciale, Kosova mund të përfitoj në aspektin ekonomik sepse është një zingjir biznesesh që do të gjenerojnë të ardhura duke i kryer shërbime që lidhen me to.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatet e përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë bërë që shtetet anëtare të BE-së kanë shpreh interesim sa i përket bashkëpunimit në lidhje me shërbimet korrektuese apo burgjet e Kosovës, ka bërë që takimet të realizohen me presidenten e Kosovës, në të kundërtën këto takime duhej të realizoheshin me Qeverinë sepse organi kompetent është Qeveria e Kosovës, për të organizuar biseda për çështje që lidhen me krijimin e kushteve për vuajtjen e dënimit të burgjeve të personave të cilët kanë kryer vepra në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

Ai e ka quajtur si takim të rëndësishëm takimin e Osmanit me ministret belge.

“Ky është i rëndësishëm për Kosovën, sepse Kosova është parë si një vend me interes nga shtetet anëtare të BE-së, për organizimin e aktiviteteve që lidhen me burgjet ku drejtpërdrejt, vendet si Kosova do të mund të përfitojnë ekonomikisht sepse të gjitha këto shërbime do të bëhen si kundër vlerë e një pagese të caktuar e cila është jo e dobët sa i përket përfshirjes në aspektin e ndërmarrësisë apo bizneseve të Kosovës, duke u nisur nga fakti që gjeneron angazhime konkrete në furnizime të ndryshme dhe prek një zingjir të strukturave ekonomike në Kosovë, deri tek numri i cili duhet të angazhohet pikërisht për tu shërbyer, apo anëtarëve te shërbimit korrektues të cilët janë gardianët e që nëfakt duhet të merren me aktivitetet e tyre ditore dhe të tjera qëlidhen me marrëveshjet me vendet e të BE-së dhe Kosovës”, u shpreh Elezi për Enigmën.

Elezi e sheh edhe si sfidë arritjen e këtyre marrëveshjeve, në aspektin e sigurisë së të burgosurve.

“Në aspketin e sigurisë së Kosovës, padyshim që ka impakt ndoshta jo në mënyrë të drejtëpërdrejt, por që në fakt në një vend ku ka fokus të personave që kanë kryer vepra të rënda penale sigurisht që niveli i shkallës së sigurisë apo rrezikut pët cenimin e sigurisë nga veprime të caktuara sidomos në situata të rënda siç janë fatëkeqësitë natyrore si tërmetet apo gjanat ku mund të pamundësohet kontroll mbi vendet ku organziohen burgjet e sigurisë së lartë apo burgjet e tjera, atëhere padyshim që mbetet një sfidë serioze në organizimin e mjeteve në të cilën do të garantohet siguria për Kosovën, në raste të tilla në fatkeqësi natyrore apo edhe ngjarje të ndryshme siç është edhe lufta”, përfundoi ai për Enigmën.

Një marrëveshje për shfrytëzim të burgut në Gjilan, Kosova e ka nënshkruar tashmë me Danimarkën.

Kjo marrëveshje parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez. Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro./GAZETAENIGMA/

Related Articles