Tubimet politike më të zbehta sesa në fushatat e kaluara – analistët parashikojnë fituesit e komunave

Tubimet politike më të zbehta sesa në fushatat e kaluara – analistët parashikojnë fituesit e komunave

Kanë mbetur edhe tri ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Kandidatët, tash e disa javë kanë mbajtur mbledhje, tubime e diskutime me qytetarët, në përpjekje për të siguruar vota. Megjithatë, ajo çka shihet qartë, është se tubimet elektorale nuk janë si më përpara. Në fushatat e kaluara, shumë njerëz, shumë atmosferë, shumë simpatizantë e shumë brohoritje janë parë e dëgjuar nëpër tubime. Një gjë e tillë, nuk u pa në këtë fushatë për zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta Enigma.

Premtime për ujë të pijshëm, në vitin 2025

Valmir Ilazi, njohës i çështjeve lokale, thotë për Gazetën Enigma se një nga arsyet për këtë dukuri, janë premtimet e përsëritura të kandidatëve, të cilët 26 vjet pas luftës, ende flasin për ujë të pijshëm, asfaltim e ndriçim rrugësh.

“Në këtë fushatë për zgjedhjet lokale, ajo që bie më shumë në sy është përsëritja e premtimeve. Pothuajse çdo kandidat po flet për ujë të pijshëm, asfaltim rrugësh, ndriçim publik e kanalizime pra, për gjëra bazike që në vitin 2025 nuk duhet të jenë më pjesë e fushatës, por punë të përfunduar në çdo komunë. Kjo tregon se shumë qeverisje lokale kanë dështuar të përmbushin premtimet e kaluara dhe tani po i riciklojnë ato, me shpresën se qytetarët kanë harruar”, tha Ilazi.

Në vend që të flitet për zhvillim ekonomik lokal, digjitalizim, transparencë apo përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje, Ilazi thotë se qytetarët po dëgjojnë të njëjtat premtime që i kanë dëgjuar për më shumë se një dekadë.

“Fushata po duket më shumë si garë marketingu sesa si garë për ide. Kandidatët po fokusohen në spote dhe postime online, por shumë pak në përmbajtje. Në rrjetet sociale shohim shumë reklama, por pak plane konkrete për mandatin katër vjeçar dhe shumë premtime, por asnjë analizë të mirëfillt. Mendoj që kjo është arsyeja se pse qytetarët janë gjithnjë e më të ftohtë ndaj fushatave politike, sepse nuk shohin sinqeritet, apo plane konkrete për komunën e tyre por vetëm fjalë të përsëritura.

Sips tij fushata lokale “duhet të jetë moment reflektimi dhe rikthim në të njëjtat zotime të pambajtura”.

“Qytetarët meritojnë më shumë se rezultate, pra mbajtja përgjegjësie dhe llogaridhënie. Vetëm atëherë mund të flasim për ndryshime reale në nivel lokal të fushatës”, u shpreh tutje ai.

Ndryshim i formës së fushatës

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, thotë për Gazetën Enigma se mbështetja për kandidatët tani ka kaluar nga fizikisht, në online.

Ai thotë se tubimet politike nuk janë treguesi kryesor e as treguesi i vetëm, por është vetëm njëri prej treguesve, për shkak se mënyra e të bërit fushatë ka ndryshuar.

“Tani njerëzit janë më të preukupuar me punët e veta dhe janë më pak të interesuar të marrin pjesë nëpër ngjarje që i organizojnë partitë. Ata tani i mbështesin partitë në mënyra tëbrendshme, qoftë me pëlqime apo shpërndarje në rrjetet sociale ose vetëm i përcjellin si vëzhgues pasiv, por që mund ta mbështesin dikë”, thotë Ramadani për “Enigmën”.

“Mbushja e sallave tregon deri diku se sa ka mbështetje një politikan, por nuk është treguesi i vetëm”.

Rënia e atmosferës, shkaku i ngërçit në nivelin qendor?

Edhe Mazllum Baraliu, profesor universitar, thotë se ka zbehje të dalluar në fushatën e secilës parti.

Për këtë, ai bën fajtor liderët e partive dhe deputetët, të cilët as pas tetë muajsh nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

“Do të ketë abstenim. Do të ketë pjesëmarrje të ulët në votime. Edhe pjesëmarrja e mbështetësve në takime është shumë e ulët. Pra nuk ka tipare masive. Kjo tregon se qytetarët nuk janë të interesuar, janë të zhgënjyer, kanë humbur aktivizimin e tyre politik dhe qytetar. Nuk shohim më as militantizëm, siç kemi parë më parë. Kjo është një llogari e dëmshme, si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të deputetëve dhe liderëve të partive. Kjo do të reflektohet negativisht edhe në zgjedhjet lokale, edhe në ato nacionale nëse do ketë të parakohshme”, deklaroi Baraliu.

Ai po ashtu parashikoi se do të ketë ndryshime dhe do të ketë balotazh më shumë sesa që pritet e më pak fitore në raundin e parë.

Kush po dallohet me fushatë më të veçantë?

Tani që fushata bëhet edhe fizikisht e edhe në rrjete sociale, Ramadani thotë se ka një kandidat që dallohet në këtë aspekt.

“Prej asaj që shohim, në Prishtinë është Uran Ismaili më aktiv, ka më shumë momentum, ka një trend më pozitiv dhe po shihet se ka krijuar një frymë të re. Bën shumë aktivitete dhe është mëdinamik. Pra për Prishtinë, Uran Ismaili e ka fushatën më aktive dhe më pozitive. Po bën më shumë bujë. Ndërkohë, në qytetet tjera nuk ka ndonjë trend të dallueshëm. Ramiz Lladrovci po ashtu duket të jetë më aktiv”.

Kush pritet të fitojë?

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, për “Enigmën” bëri një parashikim të fituesve apo të atyre që do shkojnë në balotazh, nga zgjedhjet e 12 tetorit:

“Në Prishtinë, besoj se në balotazh do shkojnë Uran Ismaili dhe Përparim Rama. Në Mitrovicë besoj se do fiton Arian Tahiri i PDK-së. Në Gjilan besoj se në balotazh do shkojnë Alban Hyseni dhe Arbër Ismaili. Ndonëse edhe Riad Rashiti i PDK-sëpo bën një fushatë të mirë. Në Prizren fiton Shaqir Totaj. NëFerizaj Agim Aliu. Në Pejë Gazemend Muhaxhiri. Në Vushtrri Ferit Idrizi. Në Kamenicë do jetë një garë e ashpër. Në Shtime dhe në Fushë Kosovë po ashtu”, tha ai.

Sipas tij në Kaçanik fiton VV-ja, kurse në Viti LDK-ja.

“Në Podujevë LDK-ja dhe VV-ja do shkojnë nëbalotazh. Në Lipjan PDK dhe LDK do shkojnë në balotazh. Në Drenas mendoj se do fitojë PDK-ja, megjithëse Ramiz Lladrovciu ka shkaktuar telashe, por besoj se partia është më e fortë se kandidati. Në Gjakovë, Suharekë, Rahovec dhe Deçan pritet të fitojë AAK-ja”, parashikoi Ramadani.

Edhe njohësi tjetër i garës për komunat, Berat Buzhala, e bëri një parashikim të fituesve:

Fitues pa balotazh:

Sami Lushtaku, Agim Aliu, Ardian Gjini, Ilir Ferati.

Potencialisht pa balotazh:

Bali Muharremaj, Gaz Muhaxheri, Smajl Latifi, Shaqir Totaj, Arian Tahiri, Qemajl Aliu, Ruzhdi Shehu, AAK ne Decan, (krejt jane 45 e siper).

Ka balotazh, por unë besoj qe fitojnë:

AAK ne Kline, LVV ne Gjilan, LDK ne Dragash, PDK ne Han te Elezit, PDK ne Vushtrri, LDK ne Viti

Garat ma te paqarta:

Prishtine, Podujeve, Fushe Kosove, Lipjan, Kacanik, Drenas, Obiliq, Kamenice, Malisheve.

Kur priten rezultatet?

Rezultatet nga raundi i parë, pritet që të dihen dy apo tri orë pas mbylljes së kutive. Nga KQZ kanë thënë se po përgatiten që procesi i numërimit të votave të jetë i shpejtë dhe të mos përsëritet vonimi si në zgjedhjet e fundit nacionale. Fushata mbaron më 12 tetor, në orën 06:59, një minutë para se të hapen kutitë e votimit. /GAZETA ENIGMA

Related Articles