Kandidati i LVV-Guxo për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka falënderuar votuesit për “qytetarinë e lartë të treguar dje dhe përgjatë gjithë kësaj fushate”.
“Faleminderit për qëndresën dhe qartësinë, për besimin dhe mbështetjen në ditën e votimit, te kutia e votimit”, shkroi Peci.
Ai bëri thirrje që të presin deri në numërimin edhe të votës së fundit.
“Një gjë është e qartë: Mitrovica nuk u thye! Interesat në Mitrovicë janë të mëdha, dhe kjo e arriti kulmin e shpërfaqjes dje nga çfarë dhe si u raportua për rezultatin zgjedhor. Por interesi i Mitrovicës dhe qytetarëve të saj është mbi të gjitha, e bashkë me ju do ta mbrojmë dhe përparojmë atë”, u shpreh tutje Peci.