Vazhdon polematika, zëdhënësi i LVV-së ka disa pyetje për Edi Ramën

Vazhdon polematika, zëdhënësi i LVV-së ka disa pyetje për Edi Ramën

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, kanë reaguar sërish nga Lëvizja Vetëvendosje duke e thelluar polemikën, shkruan Gazeta Enigma.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha se “kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.

Ai i drejtoi edhe disa pyetje Ramës:

1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale?

2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj?

3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO?

“Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik”, tha Manxhuka.

Related Articles