Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër katër personave, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Të akuzuarit R.H., I.L. dhe H.G. ngarkohen se gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022 kanë vepruar në bashkëkryerje, duke keqpërdorur detyrat e tyre me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimit të dëmit ndaj buxhetit të shtetit, i cili arrin shumën prej 2,912,134.78 euro.
Sipas Prokurorisë, të njëjtit kanë zbuluar pa autorizim informacione që përbëjnë fshehtësi zyrtare, duke e bërë të ditur vendndodhjen e rezervave shtetërore – informacion që, sipas ligjit, klasifikohet si sekret shtetëror.
Ndërkohë, i akuzuari R.M. ngarkohet me veprën penale të ndihmës në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi dyshohet se ka ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për rezervat shtetërore, duke krijuar kushte për kryerjen e veprës penale.
