A janë kontaktuar nga VV-ja dhe a kanë votë për Konjufcën? – Partitë deklarohen për “Enigmën”

A janë kontaktuar nga VV-ja dhe a kanë votë për Konjufcën? – Partitë deklarohen për “Enigmën”

“Jo” – është përgjigja unifikuese e partive për Qeverinë e re në krye me Glauk Konjufcën e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Gazeta Enigma.

Përfaqësues të partive thonë se nuk janë kontaktuar fare nga LVV-ja për mundësinë e bashkëpunimit, përveç AAK-së e cila thotë se ka pasur ftesë, por që të njëjtën e kanë refuzuar.

“Po punojmë intensivisht për shkuarjen në zgjedhje”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se e kanë qëndrimin e qartë nuk ka ndryshim të qëndrimeve dhe se janë duke punuar për zgjedhjet e reja.

“As nuk kemi pas ftesë as nuk ka ndryshim të qëndrimeve, Partia Demokratike e ka qëndrimin e qartë, konsistent se nuk ka votë në këtë fazë për asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje. Tashmë jemi duke u përgatitur intensivisht për shkuarjen ne zgjedhje”, tha Shala për “Enigmën”.

“LDK s’ka votë për kabinetin e ri”

Depueti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Alban Zogaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, i tha “Enigmës” se “PDK nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar, por as informal sa jam unë në dijeni dhe informacione. Qëndrimi ynë për ditën kur do të paraqitet kabineti i ri është i qartë, është votë kundër”.

“AAK s’ka votë për Konjufcën”

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj

“Besoj e keni dëgjua edhe intervistën e kryetarit Haradinaj, nuk kemi pas takim edhe pse kemi pas oferta prej njerëzve të kabinetit të Konjufcës, por kryetari Haradinaj nuk ka shkuar në takim. E kemi thënë edhe më herët që s’do të kemi votë për Konjufcën”, deklaroi deputetja e AAK-së Time Kadrijaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj

Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se “duhet me u bë dy-tri pole, minimum tri grupime të fuqishme që e maksimizon votën opozitare”.

“Unë besoj që,  kandidatura serioze me një infrastrukturë serioze të dy kampeve të mëdha, seriozisht mund të futen në garë për vendin e parë, dhe unë besoj fort, jo opozitarizmin e fortë po seriozisht jam i bindur që ai kandidat do të jetë kryeministër i Kosovës. Me pas garë përnime, me pas alternativë përnime, e me pas një ekip të komponuar mirë, e një ekip që ka tjetër objektiv, me fitu votën, e mu pa si alternativë serioze e jo thjeshtë sa për dekor edhe me ba garën e të tretit e të dytit siç ka ndodh në të kaluarën”, shtoi tutje Limaj.

Kujtojmë se Konjufca deri më 19 nëntor ka kohë për të paraqitur përbërjen e re qeveritare para Kuvendit.

Pas kësaj date, presidentja Vjosa Osmani mund të shpallë menjëherë zgjedhjet ose të presë deri në përmbushjen e afatit 60-ditor që rrjedh nga emërimi i mandatarit të parë./Gazeta Enigma/

Related Articles