Clark fillon dëshminë në Hagë

Clark fillon dëshminë në Hagë

Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, ka filluar dëshminë para Dhomave të Specializuara, në mbrojtje të ‘Thaçit dhe të tjerëve’.

Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në të mirë të Thaçit, mbrojtja e të cilit e filloi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.

Clark shërbeu si komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë për NATO-n nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Ai kaloi 34 vjet në Ushtrinë Amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Fushata e sulmeve të NATO-s, që zgjati 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Ajo çoi në përfundimin e vrasjeve dhe përfundimisht, vite më vonë, në pavarësimin e Kosovës.

Clark shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në çlirimin e vendit dhe për këtë ai është nderuar në Prishtinë në vitin 2024 me një dekoratë. Në Kosovë madje ka edhe rrugë të emëruara në nderim të tij.

“… veprimi u ndërmor, sepse po shihnim fillimin e një përsëritjeje të pastrimit etnik në Ballkan. Kjo ishte arsyeja që shtyu NATO-n të vepronte. Nuk ishte thjesht një veprim humanitar, por një veprim për të parandaluar një katastrofë humanitare, që po zhvillohej para syve tanë”, tha ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s.

Related Articles