Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Kosovën gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna të vendit.
Në shumë fshatra dhe qytete ka pasur vërshime, shumë vetura kanë mbetur të bllokuara në ujë, ndërsa shtëpi, ferma, biznese dhe objekte lokale kanë pësuar dëmtime të mëdha materiale, raporton Gazeta Enigma.
Autoritetet lokale dhe ekipet emergjente po raportojnë për situata të vështira në terren, teksa ndërhyrjet për stabilizimin e gjendjes po vazhdojnë.
Në kryeqytet, kryetari i Komunës Përparim Rama, ka njoftuar se ka pasur ndërhyrje në zonat kritike nga Drejtoria e Sigurisë dhe Emergjencave.
“Falënderim i veçantë për operatorët tanë që, pavarësisht sfidave dhe vonesave në pagesa, reaguan me profesionalizëm dhe ndihmuan në evitimin e rreziqeve të mëdha”, ka thënë Rama, teksa ka njoftuar se punët kanë vazhduar edhe gjatë natës.
Teksa Komuna e Prishtinës ka njoftuar se procesi mësimor ka filluar.
“Nesër, procesi mësimor rifillon normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të qytetit dhe të fshatrave të Prishtinës”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, drejtori për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani dhe ekipet komunale ishin në terren.
Kryetari Hyseni tha se gjatë gjithë ditës së martë, ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku ka qenë e mundur për të minimizuar dëmet nga reshjet e shiut.
“Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, disa zona në komunën tonë kanë hasur vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve”, tha Hyseni.
Drejtori për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, tha se në shumicën e lokacioneve situata ishte nën kontroll, por ajo ishte ende në kufijtë e rrezikut.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, ka kërkuar nga qytetarët që në raste të tilla të evitojnë zonat ku ka rritje të nivelit të ujit rreth lumenjve dhe të shfrytëzojnë rrugët alternative.
Tutje, rruga Gjilan-Kamenicë ka qenë e përmbytur nga vërshimet teksa qarkullimi I automjeteve ka qenë gati se I pamundur.
Banorja e fshatit Velekincë të Gjilanit A.B. ka thënë për Gazetën Enigma se ka qenë hera e katërt për këtë vit që ata rrezikohen të iu mbushet shtëpia me ujë. Tri herë të tjera uji ka hyrë edhe në shtëpi nga reshjet e shiut që kanë qenë javë më parë.
Tutje, ajo ka bërë thirrje që komuna të ndërmarrë masa dhe të bëhet një zgjidhje e përhershme në këtë pjesë sepse nuk po na mundësohet të jetojmë të qetë.
“Ne kemi marrë trishtim nëse shohim që do ketë reshje”, u shpreh qytetarja.
“Mbrëmë që prej momentit që kanë filluar reshjet e para të shiut ne kemi qenë duke tentuar t’a largojmë ujin që mos të na futet në shtëpi dhe vazhdojmë të jemi jashtë që të parandalojmë një gjë tillë. Sa herë që i kemi thirr nga komuna na u kanë përgjigjir, por nuk po bëhet një zgjidhje e përhershme, ne e dim që nuk e kemi vetëm ne këtë problem dhe se komuna duhet të veproj edhe në vende tjera ku kërkojnë ndihmë. Ata kanë ardhur por po thonë se nuk kane mjete për ndërhyrje dhe se nuk kanë ndonjë tender për të kryer punë. Për këtë arsye një zgjidhje e përhershme do të jetë e vetmja mënyrë që ne të jemi të qetë në këtë drejtim”, përfuundoi A.B.
Gjendja nuk po duket aspak e mirë edhe një ditë pas reshjeve në fshatin Uglarë të Gjilanit.
Banorja e fshatit D.H, ka dërguar pamje nga të fshatit tek Gazeta Enigma teksa shihet që lumi ka dalë nga shtrati duke i bllokuar rrugët dhe është pamundësuar qarkullimi i veturave.
“Sot, një ditë pas reshjeve të shiut gjendja e rrugëve në fshatin tonë është alarmante, rrugët në mëngjes kanë qenë të pakalueshme dhe të bllokuara nga vërshimet që po vazhdojnë nga lumi i fshatit”, tha D.H për Gazetën Enigma.
Një banor i Pozhoranit të Vitisë, tha për Gazetën Enigma se uji ka depërtuar në shtëpinë e tij, dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
I njëjti potencoi se ka kontaktuar dhe komunën e Vitisë për të parë gjendjen në terren.
E një qytetar i Babushit të Lipjanit, tha për redaksinë se gjendje emergjente ka ndodhur në një fermë të këtij fshati.
Në shumë rajone të Kosovës, kryetarët e komunave kanë angazhuar shtabin emergjent të tyre, dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.
Madje dje në Prishtinë, u anulua procesi mësimor si shkak i rrezikut për vërshime.
Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut
Pas daljes në terren gjatë orëve të mbrëmjes, ku nga afër vlerësoi gjendjen e rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera, kryetari i Komunës së Shtimes Dr. Qemajl Aliu ka marrë vendim që në gjithë territorin e komunës të shpallet gjendje emergjente.
“Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Tutje, kryetari i Komunës së Shtimës Qemajl Aliu deklaroi se gjendja momentalisht është stabilizuar.
“Gjendja aktuale është e stabilizuar dhe që nga mëngjesi ekipet tona po punojnë pa ndalur për të vlerësuar dëmet, për të ndërhyrë aty ku ka nevojë urgjente dhe për të siguruar që asnjë familje të mos mbetet pa ndihmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me banorët e zonave të prekura dhe çdo kërkesë po trajtohet me prioritet”, u shpreh Aliu./GazetaEnigma/
