Pas dështimit të mandatarit të dytë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të emëruar nga Presidentja Vjosa Osmani, deputeti Glauk Konjufca, i cili nuk mori votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re në Republikën e Kosovës, vendi pritet shumë shpejt të shkoj në zgjedhje parlamentare të reja. As këto zgjedhje, s’pritet të sjellin zgjidhje, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sipas nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëse edhe mandatarit të dytë nuk i votohet Qeveria, atëherë Presidentja shpall zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.
“Tash rrjedh afati kushtetues në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës, duhet presidentja e vendit t’i shpallë zgjedhjet sa më parë, dhe ato duhet të mbahen në afat 40 ditësh”, tha për Gazetën “Enigma” profesori universitar, Mazllum Baraliu.
Zgjedhjet pa zgjidhje?
Që nga takimi konsultativ me presidenten për mandatarin e dytë, ish-opozita e përbërë nga PDK,LDK,AAK-Nisma, ka kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Pasi as Konjufca nuk arriti të siguroj votat e nevojshme për formimin e Qeverisë, këto parti njëzëri kanë kërkuar nga presidentja shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejtë.
Pas seancës, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kërkoi që presidentja të veprojë pa vonesa.
“Tani përgjegjësia është e qartë: Presidentja duhet të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve, që të mos humbim edhe më shumë kohë,” theksoi ai.
Sikur ai, ka reaguar edhe kryetari i sapozgjedhur i PDK-së, Bedri Hamza.
“Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur”, ka thënë ai.
Për dallim nga kampi i PDK-së, në LDK nuk janë njëzëri se zgjedhjet janë një zgjidhje për situatë në të cilën ndodhet vendi jonë institucionalisht.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se po përgatitet për zgjedhjet e reja për të hequr këtë klasë politike nga pushteti dhe për të fituar vetë, ndwrsa nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë se zgjedhjet e reja do ta thellojnë krizën në vend.
Pas dështimit të votimit të Qeverisë, Haziri ka thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.
“Kur duhet më së shumti me siguru besim, të tjerët e humbin pragmatizmin. Kjo është që Kosovën e çon në një krizë të re, kriza ka me u thellu. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Por kjo është fryma kushtetuese dhe nuk ka opsione tjetër”, ka thënë Haziri.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje – opozita bllokoi formimin e institucioneve”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha për Gazetën “Enigma” se shkuarja në zgjedhje nuk është zgjidhje, dhe se është e papranueshme sjellja e klasës politike nga kampi opozitar.
“Në asnjë mënyrë, kurrfarë zgjidhje nuk është shkuarja nëzgjedhje. Është tragji-komike kjo sjellje e këtyre subjekteve politike të opozitës të cilat me çdo kusht, për inatet e tyre për të eleminuar njëri-tjetrin, nuk e votojnë një Qeveri e cila ishte e domosdoshme, sepse ka obligime kontraktuale edhe të brendshme edhe të jashtme. Është për keqardhje dhe e papranueshme sjellja e kësaj klase politike për të mos votuar”, tha ai.
Tutje, ai tha se bllokuesit dhe penguesit e formimit të institucioneve janë opozita dhe se nuk mund ta arsyetojnë më asgjë.
“Thanë se fituesi nuk po don ta bëjë Qeverinë, ai provoi herën e parë, provoi herën e dytë, aq sa lejon Kushtetuta, këta nuk e votuan as herën e parë as herën e dytë. Domethënë këta janë bllokuesit dhe penguesit formimit të institucioneve dhe këtë s’mund ta arsyetojnë me asgjë. Kjo është përgjegjësi që duhet të reflektohet te votuesi dhe ai ta ketë parasysh, se kujt po ia jep votën në mënyrë që njerëzit të cilët nuk e meritojnë , e keqpërdorin dhe e përbuzin besimin e dhënë ndaj sovranit”, përfundoi Baraliu.
Kur pritet të mbahen zgjedhjet?
Pasi presidentja të shpërbëjë Kuvendin, ajo duhet të ftoj liderët politik në vend, për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Gazeta “Enigma” ka pyetur Presidencën se kur pritet të ndodhë një takim i tillë, mirëpo deri në publikim e këtij artikulli, nuk ka marrë asnjë përgjigjje.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, e ka përmendur 21 dhjetorin si datë të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Data 28 dhjetor, nuk është e përshtatshme për zgjedhje për shumë arsye sepse jemi në prag të vitit të ri, jemi në kohën e festave të fundvitit dhe, çka është më e rëndësishme, numërimi i votave do t’i bie me datën e nderimit të motmoteve.
Andaj opsioni ynë është 21 dhjetori, që është datë e mundshme edhe që i përket afateve kushtetuese, por duhet të shohim cili është vullneti i partive politike”, ka deklaruar ai./Gazeta Enigma/
