S’ka Buxhet”, Ibrahimi: Nga 1 marsi vendi mund të futet në krizë të thellë financiare

S’ka Buxhet”, Ibrahimi: Nga 1 marsi vendi mund të futet në krizë të thellë financiare

Si pasojë e drejtpërdrejt e bllokadës institucionale, 11 komuna në Kosovë ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin fiskal, shkruan Gazeta “Enigma”.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, tha se aktualisht pa buxhet janë Vitia, Lipjani, Vushtrria, Malisheva, Shtimja, Juniku, Zubin Potoku, Gjilani, Prizreni, Prishtina dhe Suhareka.  

Ibrahimi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se pas certifikimit të rezultateve kuvendet komunale në takimet e para do të miratojnë buxhetin, pastaj këto buxhete do të dërgohen Ministrisë së Financave, ku ministria është e obliguar që buxhete të i përcjellë në Kuvendin e Kosovës për miratim.

“Pas certifikimit të rezultateve, kuvendet komunale do të formohen dhe, besoj, në takimet e para do të miratojnë buxhetet komunale përkatëse. Këto buxhete më pas do t’i dërgohen Ministrisë së Financave nga 11 komunat në fjalë, dhe ministria është e obliguar t’i përcjellë më tej në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Ibrahimi.

Tutje ai ka theksuar se “problemi kryesor lidhet me periudhën kohore kur Kuvendi do ta miratojë Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Kjo çështje nuk është në kompetencën e komunave. Në momentin që buxhetet komunale i dërgohen Kuvendit nga Ministria e Financave, atëherë fati i buxheteve komunale dhe i buxhetit të shtetit varet plotësisht nga vendimmarrja e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Sipas Ibrahimit problemi kryesor është se “kur do të miratohet buxheti për komuna Kuvendi, pasi që nëse nuk bëhet një gjë e tillë deri në fund të shkurtit i gjithë shteti do të futet në krizë tëthellë financiare”.

“Pra nëse nuk miratohet buxheti nga 1 marsi i vitit 2026 më shumë se 80 mijë qytetarë rrezikojnë të mbesin pa paga. Nuk do të ketë paga, nuk do të ketë pensione, nuk do të ketë mbulim të rasteve sociale, as investime të reja kapitale” tha Ibrahimi.

“Duke pasur parasysh se këtë vit do të mbahen zgjedhjet nacionale, institucionet e shtetit do të kenë mjete financiare të garantuara vetëm për muajt janar dhe shkurt të vitit 2026. Problemi qëndron se, nëse nuk ndodh funksionalizimi i institucioneve qendrore dhe nuk miratohet me kohë buxheti i shtetit, atëherë nga 1 marsi 2026 çfarë do të ndodhë?”.

“Nga 1 marsi vendi mund të futet në krizë të thellëfinanciare”

Ai ka nënvizuar se nëse buxheti nuk miratohet, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të jenë në gjendje të kryejnë asnjë pagesë nga data 1 mars 2026, përveç pagesave të detyrueshme për këstet e kredive apo huamarrjeve ndaj institucioneve apo organizatave ndërkombëtare.

Në këtë situatë, i gjithë shteti do të futet në krizë të thellë financiare”. “Më shumë se 80 mijë qytetarë rrezikojnë të mbesin pa paga”, tha drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës për Gazetën “Enigma”.

“Nëse nuk votohet buxheti edhe pas zgjedhjeve kalojmë nënjë situatë alarmante – ndezën dritat e kuqe e prishet shteti” Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, theksoi se komunat janë të obliguara ta përgadisin buxhetin dhe me dërgu në Ministri të Financave deri më 30 shtator që një muaj më pas të inkorporohen në buxhetin e konsoliduar.

Tutje ai ka theksuar se këto tri komuna kanë qenë në vonesa.

“Cila do që të jetë arsyeja e mos aprovimit të buxhetit komunal është një dobësi për komunat, dhe kjo shkakton probleme në vitin e ardhshëm kur duhet të implementohet buxheti për vitin vijues”.

“Por, në rast se këto komuna nuk e kanë miratuar buxhetin atëherë Ministria e Financave ua përcakton një buxhet në bazë të buxhetit të vitit paraprak që sigurisht është më i vogël dhe nuk ka as fillime zhvillimore por janë disa shifra që i përcaktojnë vetëm sa mos me i lanë pa paga punëtorët e arsimit, shëndetësisë etj, ndërsa problemet tjera mbesin të bllokuara”, tha ish-ministri i Financave për “Enigmën”.

“Nëse nuk votohet buxheti edhe pas zgjedhjeve atëherë kalojmënë një situatë alarmante, ndezën dritat e kuqe dhe prishte shteti. Nëse njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për me veprua menjëherë kjo është mjerim për neve. Shpresoj që kanë marr mend prej përvojës që e patëm dhe po besoj që kanë me krye punë shpejt tash”, ka theksuar Shatri.

Kolaps financiar në Prishtinë – Linja 3A pezullon qarkullimin e autobusëve

Sinjalet e para nga mos miratimi i buxhetit veçse kanë nisur. Linja e transportit urban 3A në Prishtinë ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të qarkullimit të autobusëve, për shkak të krizës së rënduar financiare dhe mungesës së pagesave nga Komuna e Prishtinës.

Përmes një postimi në Facebook ata kanë theksuar se Kompania Qendra sh.p.k, Linja 3A, është e detyruar të pezullojë përkohësisht qarkullimin e autobusëve deri në zgjidhjen e çështjeve aktuale financiare me të cilat po përballet kompania.  

“Lajmërohen të gjithë pasagjerët e Linjës 3A: Kodra e Trimave – Muharrem Fejza – Matiqan – Zllatar se pezullimi i përkohshëm i qarkullimit vjen jo nga dëshira jonë, por si imponim i situatës së krijuar tash e 7 muaj, për arsye se nuk na janë paguar shërbimet tona për të njëjtën periudhë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje ata kanë theksuar se këtë vendim janë detyruar ta marrin “si rezultat i mosshlyerjes së këtyre obligimeve, kompania është afruar në prag të një kolapsi financiar, pasi bart mbi vete detyrime të mëdha ndaj furnizimeve me naftë, mirëmbajtjes teknike, pagave të punëtorëve, kredive, qirasë dhe shumë obligimeve të tjera operacionale”.

Linja e transportit urban 3A në Prishtinë ka bërë thirrje ndaj Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave që të bëjnë një zgjidhje urgjente pasi ky veprim do të ndikojë direkt te qytetari.

“RTK rrezikon të mos ketë financim deri në fillim të marsit” Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, në seancën e 20 nëntorit deklaroi se RTK rrezikon të mos ketë financim deri në fillim të marsit pas dështimit të seancës për buxhetin.

“Edhe nëse hyjmë në vitin e ardhshëm pa buxhet, ndonëse për pjesën tjetër të administratës publike vlen Ligji për Financat Publike, që mundëson ndarjen e 1/12 për dy muajt e parë – për janarin dhe shkurtin – tek RTK as kjo nuk mund të zbatohet, sepse nuk do të ketë komision funksional. Në mungesë të Komisionit dhe në mungesë të miratimit të buxhetit të RTK-së, rrezikohet që RTK të mbetet pa financim deri në fillim të marsit. Kjo do të ishte katastrofale për institucionin e RTK-së”, deklaroi Murati.

“Kurse sa i përket buxhetit për tri komunat, janë me miliona euro fatura dhe detyrime të grumbulluara nga këto komuna, që kanë lënë operatorë ekonomikë dhe ndërmarrje publike pa pagesa. Nëse nuk miratohet buxheti për këtë vit dhe nuk lejohet që këto mjete të shpenzohen, atëherë obligimet do të barten në vitin e ardhshëm fiskal dhe do të përfundojnë në përmbarim”, shtoi Murati./Gazeta Enigma.

Related Articles