Qeveria e Kosovës në detyrë sot ka marrë vendim për nisjen e procedurave për thellimin e bashkëpunimit me komunitetet arbëreshe, përmes inicimit të procesit për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali, raporton Gazeta Enigma.
Gjatë prezantimit të projektit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo nismë ka për qëllim ruajtjen, promovimin dhe zgjerimin e trashëgimisë kulturore, duke e cilësuar projektin si një donacion për komunitetin arbëresh në Itali.
“Në kuadër të nismave për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe, veçanërisht në ruajtjen, promovimin dhe zgjerimin e trashëgimisë kulturore, Qeveria e Kosovës inicion hapat për thellimin e këtij bashkëpunimi duke nisur procesin e ngritjes së memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali. Ky projekt do të jetë donacion për komunitetin arbëresh në Itali”, tha ai.
