Lidhja Demokratike e Kosovës i ka reaguar Qeverisë Kurti, pas heqjes së barrierave ndaj materialeve ndërtimore me origjinë nga Serbia.
LDK thotë se në kohën kur ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje i rrëzonte kamionët që vinin nga Serbia, ndërsa tani në pushtet po e mirëpret materialin ndërtimor dhe po i heq barrierat që i kishin vendosur qeveritë paraprake.
“Erdhën në pushtet duke i mashtruar qytetarët, duke proklamuar se Kosova i është nënshtruar ekonomikisht Serbisë e se Qeveritë e kaluara të Kosovës ishin tradhtarë për këto veprime. Por, sapo erdhën në pushtet, shfuqizuan masën mbrojtëse të vitit 2016 për prodhuesit vendor të materialeve ndërtimore dhe ju hapën prodhuesve nga Serbia dyert e tregut të Kosovës. Partia që para pak muajsh deklaronte se në ditët e para të qeverisjes do të vendosnin reciprocitet të plotë me Serbinë, tani në pushtet po i largon të gjithat masat mbrojtëse ndaj Serbisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK thotë se arsyetimi i Qeverisë se afati i vendimit të vitit 2016 ka skaduar dhe se do të bëhet hetim tjetër për ta vendosur prapë këtë masë, është qesharak.Reklamë
“Është i papranueshëm, nëse jo dhe qesharak, arsyetimi i Qeverisë se afati i vendimit të vitit 2016 ka skaduar dhe se do të bëjnë një hetim tjetër për të vendosur prapë këtë masë. Pse Qeveria dhe ministria nuk e bënë këtë hetim më herët dhe mandej ta marrin vendimin. Kanë pushtet absolut në Qeveri dhe shumicë në Kuvend. Kanë fuqinë politike dhe numrat e mjaftueshëm të nxjerrin vendime të reja që mbrojnë prodhuesit vendor dhe, nëse është nevoja, të ndryshojnë ligje në Kuvend”, thuhet në reagimin e LDK’së.