Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka shpalosur në detaje angazhimet dhe masat konkrete që janë ndërmarrë për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës shqipe dhe zhvillimin e arsimit në Luginën e Preshevës, duke theksuar se këto përpjekje kanë qenë të vazhdueshme dhe shpeshherë të realizuara në rrethana të vështira politike dhe institucionale, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në përgjigjen e saj për Gazetën “Enigma” Sinani ka vënë në pah se institucionet lokale, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar, shoqërinë civile dhe komunitetin arsimor, kanë luajtur një rol kyç në mbrojtjen e përmbajtjeve arsimore në gjuhën shqipe dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Ruajtja e identitetit, gjuhës dhe arsimit shqip në Luginën e Preshevës është mbajtur gjallë përmes përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve lokale, komunitetit arsimor dhe shoqërisë civile, shpeshherë në kushte të vështira dhe pa mbështetje adekuate nga institucionet qendrore të shtetit serb. Megjithatë, gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë hapa konkretë dhe të qëndrueshëm për të mos lejuar zbehjen e identitetit
kombëtar”, ka deklaruar Sinani.
Ajo ka theksuar se një mbështetje e rëndësishme ka ardhur nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, përmes sigurimit të librave shkollorë, bursave për studentë, financimit të aktiviteteve kulturore dhe projekteve kapitale në arsim e kulturë. Sipas Sinanit, organizimi për herë të parë i Panairit të Librit Shqip në Preshevë, bashkëpunimi me universitete nga Tirana, Elbasani, Korça dhe Prishtina, si dhe zhvillimi i festivaleve dhe aktiviteteve kulturore në gjuhën shqipe, janë dëshmi konkrete të përkushtimit për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e jetës kulturore në komunë.
“Në fushën e arsimit, ekziston një koordinim i vazhdueshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptar për hartimin dhe realizimin e masave që lidhen me arsimin në gjuhën shqipe dhe ruajtjen e traditës kombëtare. Ky bashkëpunim ka qenë thelbësor në adresimin e nevojave të shkollave dhe në mbrojtjen e përmbajtjeve që kanë të bëjnë me historinë, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare”, tha kryetarja e Preshevës për “Enigmën”.
Tutje Sinani ka theksuar se “një rol të rëndësishëm ka pasur edhe bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për sigurimin e librave shkollorë nga Shqipëria, si dhe mbështetja për iniciativa që promovojnë librin dhe leximin në gjuhën shqipe. Në këtë kuadër, për herë të parë në Preshevë është organizuar Panairi i Librit Shqip, i financuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe i realizuar nga Biblioteka e Qytetit, duke e kthyer librin shqip në qendër të jetës kulturore dhe arsimore të komunës”.
“Po ashtu, janë ndërtuar dhe forcuar lidhje institucionale me universitete nga Tirana, Elbasani dhe Korça, me qëllim ofrimin e kushteve më të mira për studentët nga Lugina e Preshevës. Një bashkëpunim me rëndësi të veçantë është ai me Universitetin e Prishtinës, ku studimi për studentët nga Lugina është falas, duke u dhënë atyre qasje të barabartë në arsimin e lartë dhe duke hequr një barrë të rëndë financiare për familjet e tyre”, tha ajo.
Duke vlerësuar këto arritje, kryetarja e Preshevës ka theksuar se ruajtja e identitetit dhe arsimit shqip nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi lokale, por kërkon një qasje të koordinuar dhe afatgjatë mes institucioneve vendore, Kosovës, Shqipërisë dhe faktorit ndërkombëtar. Ajo ka theksuar se vetëm përmes mbështetjes së qëndrueshme institucionale dhe mbrojtjes nga pengesat politike mund të garantohet vazhdimësia e arsimit shqip dhe ruajtja e identitetit kombëtar në Luginën e Preshevës.
“Në aspektin kulturor, janë realizuar aktivitete të rëndësishme që forcojnë identitetin dhe kujtesën kolektive. Është organizuar Panairi i Librit Shqip për herë të parë në Preshevë, si dhe spektakli kushtuar Nënë Terezës, i realizuar nga Sokol Guga, si homazh për figurën universale shqiptare. Po ashtu, është organizuar Festivali i Komedisë Shqiptare, i realizuar nga Shtëpia e Kulturës, duke krijuar hapësirë të qëndrueshme për artin skenik shqip dhe për promovimin e krijimtarisë kulturore”, tha Sinani për “Enigmën”.
“Me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë mundësuar libra për nxënësit e shkollave fillore, janë dhënë bursa për studentët, janë financuar shoqata kulturore, artistike dhe rinore, si dhe janë mbështetur projekte kapitale me rëndësi të veçantë, përfshirë ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut. Kjo dëshmon se Qeveria e Kosovës, në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme, financon arsimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës”, theksoi ajo.
“Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se këto bashkëpunime dhe masa duhet të ngrihen edhe më tej, si në nivel institucional ashtu edhe në nivel strategjik. Ruajtja e identitetit dhe zhvillimi i arsimit shqip në Luginë kërkojnë një qasje afatgjatë, më të koordinuar mes institucioneve lokale, Kosovës, Shqipërisë dhe faktorit ndërkombëtar, për të garantuar që këto përpjekje të jenë të qëndrueshme dhe të mbrojtura nga pengesat politike”, ka përfunduar Sinani. /Gazeta Enigma/
