Një pjesë e mediave në Kosovë u përballën me një fushatë të vazhdueshme akuzash e sulmesh, që shpesh herë vinin nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për çka pati reagime edhe nga akter ndërkombëtar, shkruan Gazeta Enigma.
“Media të Serbisë”, “Media të porositura nga Beogradi”, “Zagarë të Vuçiqit”, “Vrasës me pagesë”, “Gazetarë të shitur”, janë disa nga akuzat që mediat dhe gazetarët në Kosovë i shohin e dëgjojnë në rrjetet sociale e edhe drejtpërsëdrejti, tash e disa vite.
Si pasojë e kësaj situate në maj të vitit 2025 Kosova regjistroi rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin vjetor Botëror të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur e 99-ta nga 180 vende.
Kjo shënoi vitin e dytë radhazi që Kosova ra në renditje, duke rënë nga vendi i 56-të në vitin 2023 në të 75-tin në vitin 2024.
Cilat janë disa nga sulmet e akuzat më të veçuara, nga Qeveria Kurti e anëtarët e LVV-së, gjatë vitit 2025?
Bojkoti i mediave nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore – 9 janar 2025
Gjatë fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se do t’i bojkotojë tri nga televizionet më të mëdha në vend; Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, duke i akuzuar për raportim “të njëanshëm”.
Një vendim i tillë u pa si sulm i drejtpërdrejtë ndaj mediave, ndërkohë që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e cilësoi këtë si “një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj”.
Kurteshi i quan mediat “aleancë e një grupi kriminal” – shkurt, 2025
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, njihet për retorikën e tij shqetësuese ndaj mediave.
Në shkurt të 2025, Kurteshi i etiketoi mediat si “aleancë e një grupi kriminal”.
Kjo shkaktoi reagime të shumta, si në Kosovë ashtu edhe përtej kufijve.
Kurti i quan portalet “pjesë të Trekëndëshit të Bermudës që dëshiron ta fundosë Kosovën”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një paraqitje të tij publike i quajti portalet “pjesë të Trekëndëshit të Bermudës që duan ta fundosin Kosovën” gjatë një interviste në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit.
AGK në atë kohë i dënoi “sulmet e vazhdueshme” të Kurtit dhe partisë së tij.
“Pothuajse në të gjitha tubimet zgjedhore në qytete të ndryshme, Kurti ka përdorur gjuhë denigruese dhe sulmuese ndaj mediave, gazetarëve dhe komentatorëve të debateve televizive”, tha AGK në reagim.
Sipas AGK-së, ekipe gazetarësh, përfshirë të mediave si Klan Kosova dhe Nacionale, “janë penguar nga zyrtarë të Vetëvendosjes në disa tubime zgjedhore, në përpjekje për të pamundësuar raportimin nga terreni”.
Qeveria ia lë fajin mediave për rënien në indeksin e Reporterëve pa Kufij – 2 maj
Kur Kosova u rendit e 99-ta në Indeksin vjetor Botëror të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, Qeveria e Kosovës në një deklarim zyrtar theksoi se se Kosovës “nuk i mungon liria e shtypit”, por vuan nga “një rënie e cilësisë së medias”.
Këtë e tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Sipas tij, “raportimi joprofesional shkakton reagim nga institucionet, i cili më pas keqkarakterizohet në vlerësimet ndërkombëtare si shtypje”.
Njohësit e fushës vlerësuan se Qeveria po minimizon kërcënimet reale, duke përfshirë bojkotet shtetërore, ligjet e propozuara të censurës dhe një klimë frikësimi.
Të njëjtat komente edhe nga Kurti
Kryeministri Kurti e përshkroi rënien e ndjeshme të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit si “për të ardhur keq”.
“Në Kosovë, ekziston liria e shprehjes dhe liria e medias – unë jam dëshmitar i kësaj bazuar në përvojën time personale dhe jetën këtu. Kjo rënie bie ndesh me realitetin në të cilin jetojmë dhe kjo kontradiktë duhet të sqarohet nga vetë mediat”, tha Kurti.
Ai theksoi se, ndryshe nga administratat e mëparshme, kabineti i tij “nuk përfshin pronarë të mediave” dhe se marrëdhëniet midis institucioneve dhe gazetarëve mbeten “të distancuara dhe profesionale”.
“Media në Kosovë është e lirë. Rënia e tyre nuk është rezultat i kontrollit qeveritar, por më tepër pasojë e ndikimit të pronësisë së medias dhe mungesës së profesionalizmit. Ne e shohim median si një aset shoqëror, por vetë media duhet ta trajtojë profesionin e saj si një përgjegjësi”, shtoi Kurti.
Sigurimi i Kurtit pengon gazetarët në kryerjen e detyrës – 2 maj 2025
Pikërisht ditën që u publikua një raport që nxirrte në pah një rënie drastike të lirisë së medias në Kosovë, ekipi i sigurisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pengoi gazetarët në punën e tyre.
Një gazetar nga T7 u vu në shënjestër kur një nga truprojat e Kurtit ia shtyu dy herë dorën ndërsa ai përpiqej të bënte një pyetje.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënoi ashpër pengimin e punës së gazetarit.
“Kjo nuk është hera e parë që siguria e Kurtit ka penguar me dhunë gazetarët. AGK i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Kryeministrit në detyrë të sigurojnë kushte normale pune për gazetarët që kërkojnë përgjigje në mjedise publike nga zyrtarë të lartë”, tha AGK në një deklaratë, duke publikuar gjithashtu një video të momentit kur gazetari u pengua të bënte punën e tij.
Kurti u ofron mediave trajnime dhe kurse nga Qeveria – 10 maj
Për ta bërë edhe më alarmante situatën, Kurti vazhdoi duke thënë se do u ofronte “trajnime dhe kurse nga Qeveria” për gazetarët dhe mediat, për mënyrën se si duhet raportuar.
AGK shprehu zhgënjimin e saj të thellë me përgjigjen Kurtit, një javë pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij për Kosovën.
Kurteshi i quan mediat “kriminale” dhe “vrasës me pagesë” – 3 dhjetor 2025
Rasti më i rëndi i sulmit ndaj mediave u shënua para pak ditësh. Anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi vazhdoi me retorikën e tij alarmante ndaj mediave, duke i quajtur ato “kriminale” dhe “vrasës me pagesë”, para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
“Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK), ashtu sipas një tradite të saj rutinë, e tërbuar qenka vënë sërish në mbrojtje të pronarëve të altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit – VRASËSVE me PAGESË – me emrat si „Vox“, „periskopi.com“, „Klan-tv“, „gazetaexpress.com“, „telegrafi.com“, „reporteri.net“, „insajderi.com“, „paparaci.com“ e ndonjë tjetër të ngjashme. Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ”, pati shkruar ai.
Ai nuk e ka kursyer as Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilin e sulmoi pasi kjo e fundit doli publikisht në mbrojtje të gazetarëve që ishin shënjestruar nga deklaratat e tij.
AGK ka reaguar duke e cilësuar gjuhën e Kurteshit si të rrezikshme dhe nxitëse të dhunës ndaj punonjësve të medias.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës flet me Gazetën Enigma për gjendjen e mediave dhe sulmet nga Qeveria Kurti
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemaj Rexha, thotë për Gazetën Enigma se edhe viti 2025 për gazetarët dhe mediat ka qenë i vështirë, “për shkak të fushatave denigruese ndaj tyre, të nisura e orkestruara nga njerëzit më të pushtetëm në Kosovë – brenda Qeverisë dhe Kuvendit”.
“AGK-ja e vlerëson retorikën e ashpër kundër gazetarëve si të papranueshme, dhe që cenon seriozisht lirinë e medias në vend, e në disa raste edhe integritetin fizik të gazetarëve. Fushata të tilla nuk duhet të bëhen praktikë e përditshme e punës së politikanëve. Në vend të kësaj, Qeveria duhet të tregohet më transparente me publikun, nëpërmjet një komunikimi profesional me gazetarët dhe mediat”, tha Rexha në një prononcim për Enigmën.
Për sulmet dhe akuzat ndaj gazetarëve, Rexha ia lë përgjegjësinë kryesore kryeministrit Albin Kurti, pasi thotë se vetë ai “ka përdorur fjalor nxitës kundër gazetarëve dhe mediave”, e që “është vazhduar më pas nga mbështetës të tyre”.
“Përgjegjësinë kryesore për krijimin e klimës kundër gazetarëve e bartë kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Në disa raste ai ka përdorur fjalor nxitës kundër gazetarëve dhe mediave që është vazhduar më pas nga mbështetës të tyre. Ne presim që zoti Kurti të reflektojë bashkë me Qeverinë dhe partinë e tij, që të kuptojnë rëndësinë e një ambienti ku gazetarët dhe mediat lihen ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe të papenguar”, deklaron tutje i pari i AGK-së.
Si shihet ambienti për mediat në Kosovë, në sytë e ndërkombëtarëve?
Kosova ka shënuar renditjen më të ultë në një dekadë në Indeksin e Lirisë së Medias të Reporterëve Pa Kufij, ku ka rënë në vendin e 99, si vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor.
Rexha thotë se rënie e tillë duhet të jetë një alarm për institucionet dhe Qeverinë e Kosovës, që të mos ndërhyjnë në funksionimin e mediave, “siç tentuan ta bëjnë me Ligjin për KPM-në, të cilin e shpalli anti-kushtetues Gjykata Kushtetuese”.
“Një ambient i tillë i lirisë së medias shihet nga ndërkombëtarët si pengesë serioze në përmbushjen e standardeve demokratike për integrim në Bashkimin Evropian”, shprehet më tej Rexha.
Si do i gjej 2026-a mediat e gazetarët në Kosovë?
Albin Kurti me Koalicionin Vetëvendosje arriti që të fitojë rreth 50 përqind të votave. Kjo veç se e konfirmon një mandat tjetër katër-vjeçar të Kurtit, ku mediat do të kenë sërish punë me akterët e kësaj Qeverie dhe partie, si në intervista, raportime, hulumtime e gjithçka tjetër.
Megjithatë, Rexha i AGK-së i inkurajon gazetarët që ta bëjnë punën e tyre me përkushtim dhe me profesionalizëm, ndërsa politikanët i këshillon që në vend të akuzave dhe sulmeve, t’u drejtohen organeve që mbikëqyrin punën e mediave.
“Gazetarët duhet të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre me përkushtim dhe me profesionalizëm, për t’i mbajtur përgjegjës të pushtetshmit dhe ata që marrin vendime që ndikojnë në jetën e qytetarëve të vendit”.
“Në vend që të angazhohen në fushata denigruese online, ne i nxisim politikanët që t’u drejtohet organeve rregulluese dhe vetë-rregulluese si KPM dhe KMSHK për ankesat që mund t’i kenë”, sugjeron në fund Rexha për Gazetën Enigma.
“Shqetësuese dhe të papranueshme për një shoqëri që pretendon të jetë demokratike”
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, për Gazetën Enigma thotë se sulmet dhe akuzat e vazhdueshme që përfaqësues të Qeverisë i kanë drejtuar mediave dhe gazetarëve gjatë këtij viti, janë shqetësuese dhe të papranueshme për një shoqëri që pretendon të jetë demokratike.
“Këto sulme nuk kanë qenë thjesht kritika politike, por shpesh kanë kaluar në diskreditim, etiketime dhe krijim të një klime presioni ndaj atyre që e kanë për detyrë të informojnë publikun. Një qasje e tillë jo vetëm që dëmton lirinë e medias, por edhe e varfëron debatin publik, sepse synon ta frikësojë zërin kritik në vend që të ballafaqohet me të”, deklaron Muhaxheri.
“Kurti duhet të vendosë standarde të qarta të komunikimit”
Muhaxheri thotë se përgjegjësia për ta ndalur këtë praktikë bie drejtpërdrejt mbi vetë Qeverinë dhe kryeministrin, “i cili duhet të vendosë standarde të qarta të komunikimit dhe sjelljes institucionale”.
“Nuk mund të justifikohet që zyrtarë të lartë shtetërorë të përdorin gjuhë denigruese ndaj mediave, ndërkohë që presin respekt për institucionet. Po ashtu, rolin e vet duhet ta luajnë edhe mekanizmat institucionalë, si Kuvendi dhe organet e pavarura, të cilat duhet të reagojnë kur tejkalohen kufijtë e kritikës legjitime”, u shpreh Muhaxheri për “Enigmën”.
Muhaxheri, i cili përcjellë nga afër veprimet politike, thotë se këto sulme kanë ndikuar negativisht në perceptimin për Kosovën nga faktori ndërkombëtar.
“Një shtet që lejon ose nxit sulme ndaj mediave shihet si vend ku demokracia është e brishtë dhe ku pushteti ka vështirësi të pranojë kontrollin dhe llogaridhënien. Kjo nuk i ndihmon aspak Kosovës në raportet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos në një kohë kur besueshmëria dhe respektimi i standardeve demokratike janë kyçe për integrimet dhe mbështetjen politike”.
Çka në 2026?
Muhaxheri thotë se në vitin që po vjen, është e domosdoshme që të ndryshohet qasja ndaj mediave.
“Duhet një angazhim i qartë politik për respektimin e lirisë së shprehjes, ndërtim i dialogut mes Qeverisë dhe mediave, si dhe reagim institucional sa herë që gazetarët bëhen objekt sulmesh apo presioni. Pa një mjedis të sigurt dhe të lirë për gazetarët, nuk mund të ketë as demokraci funksionale, as besim të qytetarëve në institucione”, përfundoi ai. /GAZETA ENIGMA
