Senad Jarovic është shndërruar në sinonim goli për Gjilanin këtë vit, derisa me 14 gola të realizuar dhe 10 asistime tëtjera në 33 paraqitje këtë edicion ka marrë epitetin e “Sulmuesit të Vitit”.
Së fundmi redaksia e sportit në mediumin “Telegrafi” e ka nderuar sulmuesin nga Bosnja me këtë çmim, duke u bërënjëherit futbollisti i parë i huaj që pranon këtë epitet.
Jarovic në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Enigma” ka hapur zemrën duke folur për të gjitha. Klubin në të cilin gjeti ringjalljen, jetën në Kosovë dhe ambicjet për tëardhmen.
Intervista
Si e vlerësoni sezonin aktual me Gjilanin dhe cili mendoni se ka qenë çelësi i paraqitjeve tuaja të mira?
“Sezoni nuk ka nisur lehtë për ne, kemi patur luhatje dhe vështirësi në fillim. Megjithatë, me kalimin e kohës kemi gjetur ritmin dhe sot luajmë shumë më të pjekur. Edhe në ditët kur nuk bëjmë lojën tonë më të mirë, arrijmë të marrim pikë – diçka që na ka munguar më herët. Ky është një hap i rëndësishëm për skuadrën”.
Jeni shpallur “Sulmuesi më i Mirë i Vitit” në Superligën e Kosovës – çfarë domethënie ka ky çmim për ju personalisht?
“E vlerësoj shumë dhe jam jashtëzakonisht krenar. Pas kaq shumë ndeshjesh dhe përpjekjesh, është shumë bukur të marrësh edhe një vlerësim personal. Ky çmim ka një domethënie të veçantë për mua”.
Sa ndikim kanë pasur skuadra dhe stafi teknik në arritjen e këtij çmimi individual?
“Gjithçka është falë tyre. Asnjë lojtar nuk mund të arrijë suksese individuale pa ekipin. Ky çmim është rezultat i punës së gjithë skuadrës dhe stafit, dhe për këtë jam shumë mirënjohës”.
Cili ka qenë momenti më vendimtar i këtij sezoni që mendoni se ju afroi më shumë drejt këtij vlerësimi?
“Për të qenë i sinqertë, mendoj se ka qenë konsistenca. Të mbash nivel të lartë gjatë gjithë sezonit është çelësi”
Si e përballoni presionin dhe pritshmëritë që vijnë pas shpalljes si sulmuesi më i mirë i vitit?
“Gjithmonë e shoh nga ana pozitive. Është kënaqësi dhe një motivim shtesë për të vazhduar të punoj edhe më shumë”.
Keni luajtur në disa kampionate evropiane – sa ju ka ndihmuar kjo përvojë në paraqitjet tuaja në Kosovë?
“Sigurisht që ka ndihmuar. Kam luajtur në 5–6 shtete të ndryshme dhe kjo të jep shumë përvojë. Por me kalimin e moshës vjen edhe pjekuria si lojtar, kështu që janë disa faktorë që ndikojnë”.
Cilat janë objektivat tuaj për të ardhmen, si me Gjilanin ashtu edhe në aspektin personal?
“Objektivi im është i qartë: të fitoj një trofe dhe të siguroj pjesëmarrjen në garat evropiane me Gjilanin”.
Si është jeta në Kosovë, duke qenë se tashmë keni dy vite këtu?
“Jeta është perfekte për mua. I shijoj shumë qytetet, vendet dhe mbi të gjitha njerëzit. Ndihem shumë mirë dhe e shijoj kohën këtu”
Ushqimi juaj i preferuar në Kosovë?
“Ushqimi tradicional”.
A keni mësuar ndonjë fjalë shqip?
“Shumë. Qysh je. A je mirë. Faleminderit”.
Kujt ia dedikoni gjithë këtë sukses?
“Familjes time dhe njerëzve që më rrethojnë”.
