Disa komuna nisin sot mësimin, disa të tjera e shtyjnë për disa ditë

Disa komuna nisin sot mësimin, disa të tjera e shtyjnë për disa ditë

Për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit dhe përmbytjet, disa komuna në Kosovë kanë vendosur të shtyjnë rifillimin e procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2025/2026.

Komunat e Malishevës, Drenasit dhe Fushë Kosovës kanë marrë vendime për shtyrjen e fillimit të mësimit, për shkak të vështirësive në terren, dëmtimeve të infrastrukturës rrugore dhe problemeve në objektet shkollore.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se mësimi do të rifillojë më 14 janar 2026, pasi përmbytjet dhe reshjet e dendura kanë vështirësuar qarkullimin dhe kanë dëmtuar rrugët në disa zona.

Edhe Komuna e Drenasit ka marrë vendim që procesi mësimor të nisë të mërkurën, duke u përballur me pasoja të ngjashme të motit të keq, përfshirë dëmtimet në shkolla dhe infrastrukturë.

Ndërkohë, Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më 19 janar 2026, pasi kushtet aktuale, vështirësitë në qarkullim dhe problemet me ngrohjen, nuk mundësojnë zhvillimin normal të mësimit.

Në dallim nga këto komuna, në shumicën e komunave të tjera procesi mësimor ka nisur sot.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga dita e sotme mësimi do të zhvillohet në të gjitha shkollat, pasi janë krijuar kushtet e nevojshme për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet edhe për disa ditë në nivel vendi, duke theksuar se temperaturat e ulëta dhe kushtet jo të përshtatshme në disa shkolla paraqesin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe punëtorëve arsimorë.

Gjysmëvjetori i dytë ishte planifikuar të fillonte më 8 janar, por pas vërshimeve të mëdha në fillim të javës, Ministria e Arsimit kishte vendosur ta shtyjë nisjen për më 12 janar.

Kosova tash e një javë po përballet me përmbytje të mëdha në disa komuna, ku si pasojë e reshjeve intensive, disa lumenj kanë dalë nga shtrati.

Related Articles