Muhaxheri: Mungesa e monitorimit nga BE në zgjedhjet e 28 dhjetorit e ka rënduar procesin

Muhaxheri: Mungesa e monitorimit nga BE në zgjedhjet e 28 dhjetorit e ka rënduar procesin

Nën monitorim minimal ndërkombëtar, zgjedhjet e 9 shkurtit ashtu sikurse edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit të vitit që lamë pas po shoqërohen me dyshime për keqpërdorime gjatë numërimit të votave, shkruan Gazeta Enigma.

Për shkak të dyshimeve të krijuara, KQZ-ja vendosi për numërim të plotë në gjitha komunat.

Pas publikimit të rezultateve finale të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga KQZ rreth numrimit të votave, disa komuna kanë shkuar në rinumërim ku pastaj u zbardhën manipulimet e mëdha që janë bërë në Qendrat Komunale të Numërimit.

Rinumërimi i pjesshëm i votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, në disa komuna të Kosovës ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, për kandidatë që përfshijnë të gjitha partitë politike. Këto mospërputhje të votave në regjistrat përfundimtar, nuk ndryshojnë përqindjen e rezultatit të partive politike, por ndryshojnë rezultatin e kandidatëve për deputet brenda subjekteve politike.

Nga mbi 900 vendvotime në të gjithë Kosovën që shkuan në rinumërim, sipas një vendimi të KQZ-së, në komunën e Prizrenit dalin mospërputhjet më të mëdha deri tani. Pas këtij skandali e pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.

A po humb kredibiliteti i zgjedhjeve në Kosovë?

Njohësi i çështjeve politike Arton Muhaxheri, deklaroi se ka qenë e pritur që procesi zgjedhor të dëmtohet sepse monitorimi ka qenë i ulët.

“Me kohë kemi paralajmëruar se procesi zgjedhor mund të dëmtohet, për faktin se zgjedhjet u caktuan në një datë kur mbikëqyrja ishte dukshëm më e ulët, si ajo vendore ashtu edhe ndërkombëtare, për shkak të periudhës së festave”, theksoj ai.

Sipas tij “Sot, fatkeqësisht, jemi në një situatë ku i gjithë procesi zgjedhor po vihet seriozisht në pikëpyetje dhe mund të kontestohet në tërësi. Natyrisht, përgjegjësia kryesore bie mbi organin që i ka organizuar zgjedhjet, përkatësisht KQZ-në, e më pas përgjegjësia duhet të shpërndahet sipas hierarkisë institucionale, pa përjashtime dhe pa justifikime”, tha Muhaxheri për Enigmën.

Ndër të tjera Muhaxheri theksoi se mungesa e BE-së më 28 dhjetor në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor e ka rënduar kredibilitetin e zgjedhjeve në vend.

“Sa më shumë që procesi varet nga faktori njerëzor, aq më e madhe është mundësia e gabimeve, qoftë të qëllimshme apo të paqëllimshme. Prandaj, digjitalizimi i votimit dhe i numërimit është i domosdoshëm. Vetëm përmes një procesi të tillë mund të minimizohen gabimet dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në zgjedhje. Mungesa e monitorimit nga Bashkimi Evropian në zgjedhjet e 28 dhjetorit vetëm sa e ka rënduar më tej perceptimin për kredibilitetin e këtij procesi”, përfundoi Muhaxheri për Enigmën./GazetaEnigma/

LEXO LAJMIN:

Related Articles