Rund i ri i dialogut – skenar i vjetër

Rund i ri i dialogut – skenar i vjetër

Një rund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen. Takimi zhvillohet pas vizitës së Sorensenit javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd dhe përfshin bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa më pas pritet edhe një takim trepalësh, shkruan Gazeta “Enigma”.

Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Sorensen do udhëheq takimin e rregullt të kryenegociatorëve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zakonisht, takimet zhvillohen fillimisht ndaras dhe, nëse palët bien dakord, pasohet nga një takim i përbashkët trepalësh, gjë që pritet të ndodhë edhe sot.

Në agjendën e rundit të ri pritet të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin arritur pajtueshmëri më 2023.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të kësaj deklarate gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel, ndërsa pritjet janë që sot temë kryesore të jetë edhe nisja e punës e Komisionit të përbashkët për të pagjeturit.

Çka mund të pritet nga rundi i ri i negociatave?

Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, ka vlerësuar se “ky rund dialogu nuk paraqet asnjë indikacion real për ndryshim të qasjes së Serbisë”, duke shtuar se Beogradi vazhdon ta përdorë dialogun si mekanizëm për menaxhim presioni ndërkombëtar dhe jo si proces për normalizim të vërtetë të marrëdhënieve.

Sipas Muhaxherit, “nuk ka sinjale për kompromis politik apo përgatitje serioze për zbatim të marrëveshjeve të arritura”, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, e cila, siç shprehet ai, nga pala serbe trajtohet më shumë si retorikë diplomatike sesa si obligim konkret.

“Ky rund dialogu nuk paraqet asnjë indikacion real për ndryshim të qasjes së Serbisë. Beogradi vazhdon ta përdorë dialogun si mekanizëm për menaxhim presioni ndërkombëtar dhe jo si proces për normalizim të vërtetë të marrëdhënieve. Nuk ka sinjale për kompromis politik apo përgatitje serioze për zbatim të marrëveshjeve të arritura, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, e cila nga pala serbe trajtohet më shumë si retorikë diplomatike sesa si obligim konkret”, tha ai për Gazetën Enigma.

Duke folur për pritjet nga ky takim, Muhaxheri thekson se “çdo pritje për progres substancial nga ky takim është joreale”, pasi Serbia, sipas tij, do të vazhdojë me kushtëzime, interpretim selektiv dhe bllokim të zbatimit në terren, ndërsa hapat si nisja e Komisionit për personat e zhdukur mbeten kryesisht teknikë dhe simbolikë.

Analisti vlerëson se “pa hapjen e arkivave dhe pa marrje përgjegjësie shtetërore, këto iniciativa nuk përbëjnë sinjal politik për ndryshim kursi”, duke shtuar se mungesa e presionit real dhe e mekanizmave ndëshkues nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë e bën minimal vullnetin politik të Serbisë për normalizim.

Muhaxheri shton se “në mungesë të presionit real dhe mekanizmave ndëshkues nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, vullneti politik i Serbisë për normalizim mbetet minimal”, duke ritheksuar se pa një qasje më të ashpër ndërkombëtare nuk mund të pritet ndryshim real i kursit të Beogradit.

“Çdo pritje për progres substancial nga ky takim është joreale. Serbia do të vazhdojë me kushtëzime, interpretim selektiv dhe bllokim të zbatimit në terren, ndërsa hapat si nisja e Komisionit për personat e zhdukur mbeten kryesisht teknikë dhe simbolikë. Pa hapjen e arkivave dhe pa marrje përgjegjësie shtetërore, këto iniciativa nuk përbëjnë sinjal politik për ndryshim kursi. Në mungesë të presionit real dhe mekanizmave ndëshkues nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, vullneti politik i Serbisë për normalizim mbetet minimal”, përfundoi ai.

Ndërkohë jurisiti Ardian Bajraktari ka deklaruar për Gazetën “Enigma”se normalizimi i marrëdhënieve është parakusht për rrugëtimin e Kosovës dhe Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Ai ka theksuar se sa më herët të kuptohet kjo, aq më mirë do të jetë për të dyja vendet, veçanërisht për fqinjët veriorë, duke shtuar se ndryshimi i qasjes dhe i diskursit shkon në funksion të këtij procesi.

“Është parakusht për rrugëtimin e dyja vendeve, edhe Kosovës edhe Shqipërisë, në rrugën drejt integrimit evropian, dhe sa mëparë që të kuptohet kjo, është më mirë për dyja vendet, në thekst të veçantë për fqinjtë tanë verior, dhe ndryshimi i çasjes dhe diskursit të saj natyrisht shkon në funksion të kësaj”, u shpreh ai.

Sipas Bajraktarit, vizitat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd dëshmojnë interesimin e BE-së për rifillimin e procesit të negociatave mes dy vendeve. Ai shprehu bindjen se insistimi i Bashkimit Evropian do të vazhdojë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, me shpresën që përmes këtij procesi të arrihet edhe njohja reciproke mes dy vendeve.

“Vizitat e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd, tregojnë që BE-ja është e interesuar që të rifillohet procesi i negociatave mes dy vendeve dhe besoj që insistimi do të jetë në vazhdimësi në drejtim të normalizimit tëmarrëdhënieve, dhe shpresojmë që përmes këtij procesi, tëarrihet edhe deri tek njohja reciproke e të dyja vendeve”, përfundoi ai.

Nyjet e dialogut

Takimi i sotëm është i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë këtë vit, pasi takimi i parë i planifikuar për janar ishte shtyrë për shkak se pala serbe kishte refuzuar pjesëmarrjen, duke e arsyetuar këtë me veprimet për mbylljen e zyrave që mbështeten nga Serbia në Kosovë.

Takimet e sotme pritet t’i shërbejnë BE-së edhe si sinjal se dialogu po vazhdon, pavarësisht mungesës së progresit të prekshëm deri më tani.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen kishte deklaruar se ka shpresa që viti 2026 të japë atë që viti 2025 nuk e dha, duke theksuar se roli i tij është të sigurojë që palët të ulen dhe të bisedojnë, si dhe të gjendet një mënyrë për zhvillimin e bisedimeve të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe Serbia në anën tjetër ka kushtet e saj për dialog.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, pas takimit me Sorensenin më 16 janar në Beograd, ka ritheksuar se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Zyrtarë serbë kanë paralajmëruar gjithashtu se do të kërkojnë formimin urgjent të këtij asociacioni dhe do të tërheqin vërejtjen për atë që e quajnë presion ndaj serbëve në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2023, Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, të njohur si Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por deri më tani nuk ka pasur pothuajse fare zbatim të saj. Marrëveshja nuk është nënshkruar, pasi Serbia kishte refuzuar, por BE-ja ka insistuar vazhdimisht se zbatimi i saj është obligim ligjor për palët.

Peter Sorensen është emëruar lehtësues i dialogut para një viti dhe rishtazi i është vazhduar mandati për së paku edhe dy vjet, duke pasuar në këtë post diplomatin sllovak Miroslav Lajçak. BE-ja mungesën e progresit në dialog ia ka atribuar palëve dhe mungesës së gatishmërisë për zbatimin e obligimeve, duke përmendur si pengesa edhe krizën politike në Kosovë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 dhe situatën e tensionuar politike në Serbi.

Related Articles