48 orë ndalim për 109 të dyshuarit për vjedhje votash

48 orë ndalim për 109 të dyshuarit për vjedhje votash

Prokuroria Themelore në Prizren ka dalë me komunikatë pas aksionit të sotëm për dyshimet për manipulim të votave, i cili rezultoi me 109 persona të ndaluar që kryesisht kanë shërbyer si komisionerë në numërimin e votave.

Prokuroria tha se ata janë ndaluar për 48 orë dhe tha se brenda afateve ligjore do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Ata ngarkohen për këto vepra penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, njëqind e nëntë (109) persona.

Në aksionin, që u përshkrua si më i madhi ndonjëherë në Prizren për nga numri i të ndaluarve, u angazhuan katër prokurorë dhe 200 zyrtarë policorë.

Komunikata e plotë:

Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht për Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit.

Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, pas intervistimit lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, njëqind e nëntë (109) persona.

Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë katër (4) prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, si dhe rreth dyqind (200) zyrtarë policorë.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Related Articles