Përkundër thirrjes së Policisë së Kosovës që qytetarët të shfrytëzojnë edhe vendkalimet tjera kufitare për dalje dhe hyrje në Kosovë, pika kufitare Merdarë vazhdon të jetë më e ngarkuara edhe pasditen e sotme.
Sipas të dhënave të fundit të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, kolona më së shumti vazhdon të ketë në dalje të Merdares, ku dalja mund të bëhet nga 50 deri në 60 minuta.
Kolona janë krijuar edhe te Dheu i Bardhë, Jarinje, e në Vërmicë.
Më herët, Policia ka kërkuar nga shoferët që të shfrytëzojnë edhe pikat tjera për dalje nga Kosova, dhe të mos presin gjatë në kolonat e krijuara në Merdare.
“Andaj, kërkojmë, lusim në veçanti bashkatdhetarët, që në fakt janë shumica dërmuese e atyre që po presim me orë të tëra në këtë pikë kufitare, të shfrytëzojnë edhe pikat tjera kufitar, si: Pikën e Kalimit Kufitar Mutivodë, Dheu i Bardhë, por edhe atë në Jarinje ku aktualisht nuk ka pritjet të gjata”, thuhej në njoftimin e bërë nga Policia.