Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, ka deklaruar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, për aq kohë sa nuk ka emra konsensualë dhe një marrëveshje politike paraprake.
“Për aq kohë sa emrat nuk janë konsensualë dhe nuk janë dakorduar me një marrëveshje politike, ne nuk marrim pjesë”, tha Lushaku në një konferencë për media.
Ajo u tregua e rezervuar edhe kur u pyet nëse LDK-ja do ta kandidonte Vjosa Osmani për presidente, duke theksuar se partia e saj nuk i ka numrat për të propozuar një kandidat.
“Ne do ta kishim kandidatin tonë me nënshkrimet tona, po të kishim më shumë deputetë. Ne nuk mund të kandidojmë kandidat të tjerë. Ata kanë 66 deputetë dhe mund të paraqesin dy kandidatë”, nënvizoi ajo, duke iu referuar shumicës parlamentare.
Sipas saj, në takimet që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, nuk janë diskutuar emra konkretë për postin e presidentit.
“Emra të përveçëm nuk janë diskutuar, për aq sa jam informuar, dhe nuk dua të jap hipotetikisht situata. Ne do ta shqyrtojmë kandidaturën dhe do të marrim qëndrim se cila do të jetë sjellja jonë brenda seancës, por meqë s’kemi pasur zyrtarisht emra, nuk mund të flasim më konkretisht”, deklaroi Lushaku.
