Epopeja e UÇK-së, 28 vjet më pas: Kujtesë historike dhe betejë në Hagë

Epopeja e UÇK-së, 28 vjet më pas: Kujtesë historike dhe betejë në Hagë

Në këtë përvjetor, Epopeja e UÇK-së e gjen ushtrinë që synonte çlirimin e Kosovës në vitet ’99 përballë një sfide të madhe, atë të pastrimit të emrit të saj në Gjykatën Speciale të Hagës. Ish “kokat” e kësaj ushtrie pritet që këtë muaj të ballafaqohen me gjykimin final, shkruan Gazeta Enigma.

Sot mbushen 28 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari nga Prekazi. Kjo datë shënon fillimin e Epopesë së UÇK-së, që përfaqëson sakrificën sublime për liri dhe dinjitet kombëtar, e cila në fund kulmoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan kullën e Jasharëve. Në përballje të pabarabartë, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën qëndresën deri në flijim, duke u bërë simbol i pathyeshmërisë dhe i vendosmërisë për çlirim.

Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mobilizoi mijëra djem e vajza për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga ajo ditë, Epopeja e UÇK-së u kthye në kushtrim lirie, duke shënuar një kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Ish-krerët e UÇK-së përballë Gjykatës Speciale

Të hënën, më 9 shkurt të këtij viti është bërë paraqitja e deklaratave përmbyllëse të Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale të Hagës, ku Prokuroria kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” këtë kërkesë e ka cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me parimin themelor të ligjshmërisë dhe zbatimit të ligjit më të favorshëm.

Sipas tij, një kërkesë e tillë shpërfill kontekstin kohor të veprave të pretenduara, legjislacionin penal në fuqi në periudhën përkatëse, si dhe praktikën gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare lidhur me përgjegjësinë komanduese.

“Kërkesa e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë që të akuzuarve Thaçit dhe të tjerëve që secilit veç e veç t’i shqiptohet një dënim prej 45 viteve burgim është në tërësi në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë për pranimin e zbatimit të ligjit të favorshëm për shkak se veprat që dyshohen se janë kryer, këto kanë ndodhur në kohën deri sa ka qenë në fuqi ligji i Jugosllavisë nga janari 1998 deri në qershor të 1999, ku me rregulloren e UNMIK-ut 24-99 ai ligj penal i Jugosllavisë që parashihte dënimin me vdekje në rastet e krimeve të luftës dhe rasteve tjera më të rënda është ndryshuar dhe është hequr dënimi me vdekje”, tha Rrecaj.

Tutje ai ka theksuar se “në bazë të atij ligji dënimi maksimal që mund t’u shqiptohet ish-krerëve të UÇK-së mund të jetë deri në 15 vjet”.

“Me heqjen e dënimit me vdekje ka mbetur vetëm si alternativë dënimi me burgim, e në atë kohë sipas ligjit penal të Jugosllavisë ka qenë nga 15 ditë deri në 15 vite”.

Avokati ka theksuar se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e komandant Calit, por që më pas pati ndryshime.

“Kështu ndodhi edhe me ish komandant Calin të cilit fillimisht iu shqiptua dënimi prej 26 vjet, pastaj instancat më të larta atje e ulën dënimin në 15 vjet”, ka theksuar ai.

“Unë uroj që ish krerët e UÇK-së, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi të lirohen nga akuza për shkak se nuk ka asnjë bazë ligjore, asnjë provë që vërteton faktin se këta mund të përgjigjen për përgjegjësi komanduese, sepse siç kanë vërtetuar edhe dëshmitarët e mbrojtjes UÇK në atë kohë nuk ka qenë e organizuar dhe strukturuar dhe nuk mund të ketë përgjegjësi komanduese”, deklaroi Rrecaj për “Enigmën”.

Avokati ka dhënë detaje edhe se çka nënkuptojmë me përgjegjësinë komanduese, duke theksuar se edhe në rastin e Haradinajt dhe Limajt nuk ka pasur sukses.

“Përgjegjësia komanduese nënkupton që komandanti të përgjigjet për veprimet e një pjesëtari të ushtrisë, kushdo qoftë ai, në pjesën të cilën ushtron një kontroll. Përgjegjësia komanduese nuk ka pasur sukses as në Tribunalin e Hagës në rastin kundër Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt me shokë. Por nuk ka pasur sukses edhe këtu para gjyqtarëve të EULEX-it ku unë kam mbrojtur zotin Limaj në rastin Kleçka, pastaj edhe në rastin Bellanica për krime lufte, por nuk ka kaluar as në rastin Drenica”, deklaroi ai.

“Pra në asnjërin nga këto raste që i përmenda Gjykata, edhe pse kanë qenë gjyqtarë të EULEX-it, disa prej tyre sot janë në Dhomat e Specializuara, i kanë liruar nga akuzat sepse nuk është vërtetuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës në atë kohë ka pasur një hierarki, një strukturë organizative, ose ndonjë kontroll efektiv të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. E gjitha ka qenë në fazën e ristrukturimit, por mbi të gjitha fakti se ligji penal i Jugosllavisë i cili ka qenë në fuqi në kohën e ndërhyrjes, me heqjen e dënimit me vdekje me rregulloren e UNMIK-ut 24-99, ka lënë mundësinë që për këto vepra penale dënimi maksimal të jetë deri në 15 vjet, dhe në këtë rast gjykata duhet ta zbatojë parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm që thotë në mënyrë shprehimore se ndaj kryesve të veprës zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, ku në rast të ndryshimit të ligjit, zbatohet ligji më i favorshëm”, tha Rrecaj për Gazetën “Enigma”.

“Me heqjen e dënimit me vdekje ka mbetur vetëm dënimi me burgim që mund të jetë deri në 15 vite”, ka përfunduar ai.

“Sakrifica e familjes Jashari në Prekaz ndryshoi drejtimin e historisë së Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën e sotme të Kuvendit ka kujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Osmani ka thënë se muaji mars, i cili në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, për shqiptarët u bë muaj i përballjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë.

Sipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz u bashkuan qëndresa, sakrifica dhe heroizmi, kur komandanti i UÇK-së Adem Jashari qëndroi në kullën e familjes së tij së bashku me familjarët, duke zgjedhur sakrificën para dorëzimit dhe lirinë para frikës.

Ajo theksoi se gjatë atyre tri ditëve marsi u shndërrua në muaj të epopesë dhe sakrificës që ringjalli një komb të tërë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës.

“56 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri – kushtrim që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë botën”, ka thënë Osmani.

Presidentja shtoi se Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës së Kosovës, pasi nga Prekazi nisi, siç u shpreh ajo, “orteku i lirisë” që nuk u ndal më.

“Gjykimi i luftës përmes ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka dëmtuar përkohësisht imazhin e UÇK-së”

Analisti politik, Arton Muhaxheri, tha për Gazetën “Enigma” se nëse çlirimtarët që po mbahen në Hagë shpallen të pafajshëm, atëherë ky proces mund të ketë efekt të kundërt për imazhin e luftës së UÇK-së.

“Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në thelb po gjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes ish-drejtuesve dhe çlirimtarëve të saj. Kjo e ka dëmtuar përkohësisht imazhin e UÇK-së, sepse procesi është ndërtuar në një mënyrë që shpesh e trajton luftën çlirimtare si objekt akuze”, deklaroi ai.

“Megjithatë, nëse çlirimtarët që po mbahen në Hagë shpallen të pafajshëm, atëherë ky proces mund të ketë efekt të kundërt: jo vetëm që do të rrëzohen akuzat, por do të forcohet edhe më shumë legjitimiteti dhe imazhi i luftës së UÇK-së”, tha Muhaxheri për “Enigmën”.

Kurti: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e ka epopenë e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës gjatë ceremonisë së shënimit të Epopesë së UÇK-së, që po mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

“Në historinë moderne të Kosovës, Epopeja e UÇK-së paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovë përgjatë shekullit XX. Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e ka epopenë e saj, e cila është ngritur përreth rezistencës së armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars 1998, si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës të dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha Kurti.

“Epopeja e UÇK-së ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në seancën solemne në nder të Epopesë së UÇK-së, përkujtoi sakrificën e madhe të familjes Jashari.

Para deputetëve, ajo tha se Epopeja e UÇK-së nuk ishte thjesht një ngjarje historike, por një mesazh i përjetshëm: qëndrimi i guximshëm, sakrifica, vendosmëria dhe dashuria për liri mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë.

“UÇK-ja u bë realitet i pathyeshëm; edhe lufta, edhe çlirimi morën një formë tjetër. Epopeja e UÇK-së nuk ishte vetëm një ngjarje, por një mesazh i përjetshëm. Prekazi u bë simbol i një populli që nuk pranon të dorëzohet. Prekazi është një vend konkret në hartë, por në mars të vitit 1998 u shndërrua në një vijë ndarëse në kohë”, tha Haxhiu.

“Marsi i vitit 1998 nuk është vetëm një betejë, por mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë”

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së, fjalimin e tij e nisi duke e përshëndetur Rifat Jasharin dhe familjen Jashari.

Në fjalën e tij, Hamza tha se tri ditët e fillim-marsit të vitit 1998 nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë, por janë mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë.

“Kanë kaluar 28 vjet nga ato 3 ditë të marsit që ndryshuan përgjithmonë fatin e Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, një familje shqiptare vendosi të qëndrojë në pragun e shtëpisë së vet përballë një ushtrie të tërë pushtuese. Por ato tri ditë nuk janë vetëm një betejë në kalendarin e historisë sonë, por janë mësim i përhershëm për vetë kuptimin e lirisë, sepse ka momente kur historia nuk shkruhet nga numrat, nga fuqia ushtarake apo nga kalkulimet politike. Historia shkruhet nga vendimet morale të njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen. Dhe në ato tri ditë të marsit në Prekaz, historia e Kosovës mori pikërisht këtë formë: Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ai u bë altar i lirisë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i ndërgjegjes dhe qëndresës së një populli të tërë”, tha Hamza në fjalën e tij.

“Adem Jashari bëri hapin e parë në një rrugë që nuk e shihte askush”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në seancën solemne që po mbahet për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke kujtuar sakrificën e familjes Jashari në Prekaz.

“28 vjet më parë, mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në këtë familje shqiptare, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të tjerë të familjes, të afërm dhe bashkëluftëtarë, ranë në altarin e lirisë, duke dhënë vendin jo vetëm në historinë e sakrificës, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që s’mund të ndalej më.

“Ademi jo vetëm për nga emri, si përshkrim i një udhëzimi të marrë nga Zoti, por edhe nga akti është njeriu i parë, i pari që bëri hapin në një rrugë që nuk e shihte askush. Ndonëse kur flasim për Ademin, pra për të parin, shpesh ndalemi te momenti i tij i fundit, te beteja, te rrëfimi e te sakrifica, duhet të kujtojmë se figura e tij si pasqyrë e popullit të tij nuk fillon aty nga fundi.

“Përkundrazi, njerëzit që bëhen figura të historisë nuk lindin në çastin e fundit të jetës së tyre, ata formohen gjatë, në heshtje, në jetën e zakonshme të përditshme”, tha mes tjerash i pari i LDK-së. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles