Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Ajo u shpreh se zgjedhjet ishin të evitueshme në këtë situatë, por sipas saj “këtu vendin e sollën njerëz të papërgjegjshëm, e me qëllime të rrezikshme”.
“Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm dhe as i pamenduar; përkundrazi, ishte i kalkuluar dhe i menduar, gjë që është edhe më shqetësuese”, tha ajo në konferencë.
“Kuvendi ka dështuar të përmbushë një nga obligimet e tij themelore kushtetuese. Një kuvend që nuk arrin ta zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht pa e kryer këtë detyrë. Afati përfundimtar për këtë proces ishte i qartë dhe përfundoi mbrëmë në mesnatë. Deputetët kishin në dispozicion 23 ditë, por vendosën të mos e përmbushin këtë obligim”, tha ndër tjera ajo.
“Fakti që Kuvendi ka zgjedhur të mos i shfrytëzojë ditët në dispozicion nuk e ndryshon Kushtetutën. Kushtetuta nuk funksionon sipas logjikës së komoditetit politik. Asnjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon rrjedhën e afateve kushtetuese”. / Gazeta Enigma.
