Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka folur për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ai tha se ka pasur situata kur kanë pasur kundërshtime, por shpjegoi se si Kurti e kishte bërë, siç tha, për shkak të tij, transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për anëtarësimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.
Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.
