KQZ: Për zgjedhjet e reja do të veprojmë sipas mandatit kushtetues dhe ligjor

KQZ: Për zgjedhjet e reja do të veprojmë sipas mandatit kushtetues dhe ligjor

Kosova mund të shkojë sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse nuk ka kaluar ende një muaj që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raporton Gazeta “Enigma”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili gjatë vitit 2025 organizoi katër procese zgjedhore, dy zgjedhje parlamentare më 9 shkurt dhe 28 dhjetor, si dhe zgjedhjet lokale më 12 tetor dhe raundin e dytë për kryetarë komunash më 9 nëntor mund të përballet sërish me organizimin e një procesi të ri zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, tha për Gazetën “Enigma” se nuk komentojnë zhvillimet politike dhe se qëndrimi i KQZ-së mbetet i njëjtë, si në rastet tjera.

Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një kohe të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e tij sipas Elezit, megjithkëtë, ky institucion do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

“Organizimi edhe i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, vetëm brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve, gjithashtu të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij. Megjithkëtë, KQZ, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kurdo që kjo do të kërkohet”, tha Elezi.

Tutje ai ka theksuar se nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor KQZ do të diskutojë për çështjet e buxhetit. “Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka diskutuar lidhur me këto çështje, por sigurisht se nëse do të ketë pra një proces të ri zgjedhor atëherë KQZ fillimisht në forumet e veta do të diskutojë për çështjet e buxhetit dhe pastaj do të bëjë edhe planifikimin e nevojshëm i cili si zakonisht i dërgohet për miratim Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas Elezit në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që KQZ-ja të bëjë shkurtimin e afateve kohore për organizimin e tyre.

“Nëse pra do të kemi një proces të parakohshëm zgjedhor, pra ai do të organizohej në afate të shkurtra kohore, ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh mundësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë shkurtimin e afateve kohore të aktiviteteve të ndryshme dhe t’i përshtasë ato me rrethanat, pra me ditët që ka në dispozicion për organizimin e këtij procesi zgjedhor”, tha ai.

Kujtojmë se më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për të shpërndarë legjislaturën e 10-të pasi deri më 5 mars dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës. Osmani mori këtë vendim duke u mbështetur në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se “zgjedhja e Presidentit të Repubikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

Aktualisht, çështja e dekretit të nxjerrë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, nga ku është kërkuar vendosja e masës pezulluese, deri në shqyrtimin përfundimtar.

Related Articles